Uncategorized

Shaipi Vs. Daçiqi / A do ta fitojnë të enjten shqiptarët apo serbët një deputet në Parlamentin e Serbisë?

Autori: Gazeta inFokus 08:35 | 22 June 2022

Për të katërtën herë qytetarët e Tërnocit të Bujanocit do t’i drejtohen kutive të votimit.

Krejt kjo, pasi që Gjykata Administrative në Serbi ka aprovuar ankesën e listës “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” për anulimin e zgjedhjeve të 27 majit në vendvotimin nr.6 në këtë fshat.

Qytetarët e Tërnocit edhe do të jenë vendimtarët se a do të ketë një deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, pozitë të cilën e kishte dhe po e synon përsëri, Shaip Kamberi.

-Advertisement-

Zgjedhjet do të mbahen më 23 qershor, ndërsa Kamberit i nevojiten rreth 650 vota, derisa votues të regjistruar janë 1089.

Lidhur me këtë për Front Online, vet Kamberi, ka thënë se pavarësisht rezultatit final shpreson që të mos ketë vota për Partinë Socialiste.

“Shpresoj, që kësaj radhe, në Tërnoc, pavarësisht rezultatit final, të mos ketë vota për Partinë Socialiste e cila ishte kreatore i idesë së vrasjeve masive dhe deportimeve të shqiptarëve në të kaluarën. Pastërtia e Tërnocit duhet ruajtur pavarësisht se a do të arrijmë qëllimin final, atë të votave të mjaftueshme për një deputet”, është shprehur Kamberi për Front Online.

Ai thotë se jo të gjithë votuesit e regjistruar do të mund të votojnë më 23 qershor.

Kjo për shkak se disa prej tyre gjenden në Kosovë e disa në diasporë.

“Duhet potencuar se pavarësisht se në këtë njësi janë të regjistruar 1089 votues, një numër i tyre gjendet në diasporë, ndërsa një pjesë edhe në Kosovë, prandaj, ajo që po bëjmë ne është se po mobilizojmë 90 për qind të atyre që janë prezent, në një betejë ku kundërshtarë kemi gjithë aparaturën shtetërore të Serbisë në kry me SNS e SPS”, ka thënë Kamberi.

Se nuk po arrijnë të kenë rezultat konkret në zgjedhje, Kamberi deklaron se kjo po ndodhë shkaku që shumë prej votuesve jetojnë në diasporë.

Ky deklaron se Serbisë i pengon përfaqësimi i shqiptarëve në parlamentin e saj.

Dhe, sipas Kamberit po ndodhë për disa arsye.

“Kjo që po ndodh me ne është tregues se Serbia nuk është shtet normal e edhe më pak shtet demokratik. Asaj i pengon përfaqësimi i shqiptarëve në parlament e edhe më shumë i pengon që të vërtetat për shqiptarët të shpalosen në atë parlament. Është fakt se ne jemi në garë të drejtpërdrejtë për një mandat me SPS të Ivica Daciqit, po, se në këtë luftë kundër nesh SPS ka mbështetjen edhe të SNS dhe institucioneve shtetërore, sidomos të Komisionit republikan të zgjedhjeve”, është shprehur ndër të tjera ai.

Në rast se do të zgjidhet përsëri deputet, Kamberi për Front Online ka treguar çështjet kryesore të cilat do t’i paraqesë në parlamentin e Serbisë.

“Shqiptarët kanë tre marrëveshje të nënshkruara me Beogradin për afirmimin e pozitës së tyre. E treta është Plani shtatë pikësh në kuadër të të cilit gjenden shumë kërkesa që do të duhej të përmirësonin pozitën e shqiptarëve, prandaj, integrimi proporcional në institucionet publike e shtetërore, zhvillimi ekonomik e çështja e diplomave mund të ishin tre temat kryesore”, ka deklaruar ish-deputeti Kamberi.

Kurse, tregon se ka përkrahjen e plotë të politikës kosovare për këtë çështje.

Kjo do të jetë hera e katërt që në Tërnoc të madh përsëriten zgjedhjet parlamentare, pas atyre të mbajtura më 3 prill, 28 prill, përkatësisht 27 maj të këtij viti.Front Online

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera