Lajme

Shabani: Votat nga diaspora për Dragashin u plotësuan nga një njeri, çështja shkon në Supreme

Autori: Gazeta inFokus 19:00 | 17 November 2021

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, thotë se kanë dyshime të bazuara për manipulim me votat me postë në këtë komunë.

“Këto zarfe kanë të njëjtin shkrim, të njëjtën ngjyrë dhe janë dërguar pothuajse në të njëjtën kohë në postë gjë që nuk mund të jetë koincidencë. Ne e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve por është e papranueshme të plotësohen prej një individi ose dy për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve të komunës së Dragashit dhe nuk e di pse LDK-ja po e ka frikën e kërkesës së këtij hetimi teksa ekziston e drejta e ankesës nga një subjekt politik dhe kur në pyetje janë 72 orë”.

“Ne nuk e kemi ngritë këtë çështje fillimisht ishte nga mediat ndërsa tani është e njohur edhe nga anëtarët e KQZ-së që tashmë kanë marrë vendim për hetim”.

Shabani n në Klan Kosova deklaroi se si PDK do të shterin të gjitha mundësitë ligjore për të vënë në dritë manipulimin e votave me postë.

“Edhe vëzhguesit që kanë marrë pjesë në rastin e numërimit kanë konstatuar se këto dyshime janë të vërteta për shkak se zarfet janë të plotësuara me të njëjtin shkrim dhe bazuar në këtë tashmë edhe avokati e ka bërë ankesën në PZAP dhe presim që brenda 72 orësh të kthejnë një përgjigje. Si Parti Demokratike e Kosovës kemi vendosur që këtij procesi t’i shkojmë deri në fund me të vetmin qëllim që të qartësojmë procesin zgjedhor pasi çdo votë është e vlefshme”, u shpreh Shabani.

“Tani jemi në nivelin e hetimeve me shumë argumente dhe besojmë që PZAP-ja të jap një vendim meritor bazuar në ankesën tonë, nëse eventualisht nga vendimi që do të merret nga PZAP-ja nuk do të plotësohen ato kërkesa që i kemi parashtruar do të vazhdojmë edhe më tej në Gjykatën Supreme.

“Ne i kemi dyshimet e bazuara dhe ne nuk kemi dyshime as tek votat e personave me nevoja të veçanta as tek votat me kusht – janë rreth 208 vota e edhe këto mund të ta përmbysin rezultatin. Por, tek këto nuk kam vërejtje por tek votat me postë jemi dyshime të bazuara”, tha Shabani.

Shabani mes tjerash tha se nëse kërkesa e tyre hidhet si e pabazë atëherë do e respektojnë vendimin e qytetarëve.

Të tjera