Lajme

Shaban Shabani pranon humbjen në Dragash, uron Bexhet Xheladinin për fitoren

Autori: Gazeta inFokus 16:23 | 15 December 2021

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Deçanit, Shaban Shabani ka pranuar humbjen në Komunën e Dragashit.

Shabani ka uruar kundërkandidatin e tij Bexhet Xheladini  nga Lidhja Demokratike e Kosovës për fitoren në Dragash.

“Të dashur qytetarë të komunës së Dragashit! Dje u numëruan fletëvotimet e ardhura me postë nga ana e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgatë dhe përfundimisht u rivendos rezultati i zgjedhjeve për kryetar të komunës. Si të tillë, këtë rezultat e pranojmë, duke e respektuar kështu, vullnetin e shumicës së qytetarëve si themel i demokracisë, i cili nxjerr fitues kundërkandidatin tim z. Xheladini, të cilin e uroj për zgjedhjen në krye të komunës për mandatin e ri. Pavarësisht që vullneti i shumicës së qytetarëve që kanë votuar në komunën tonë ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës si parti fituese përballë dy subjekteve të tjera opozitare, sidoqoftë, votat e diasporës qartazi janë shprehur në favor të mbështetjes së opozitës së deritanishme”, thotë ai.

-Advertisement-

Shabani ka falënderuar votuesit e PDK-së.

“Në këtë rast, dëshiroj të falënderoj me përulësi të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe strukturat e PDK-së – Dega në Sharr, për punën e tyre të jashtëzakonshme, e cila ka nxjerrë suksesshëm partinë tonë si subjekt fitues për 14 vite me radhë, përfshirë edhe këtë mandat, si parti e parë në kuvendin komunal. Po ashtu, falënderoj edhe partnerët e koalicionit për bashkëpunimin korrekt dhe të sinqertë edhe përgjatë mandatit qeverisës, por edhe në këtë proces zgjedhor.

Jam krenar me Partinë Demokratike të Kosovës për mbështetjen e pakursyer për kandidaturën time, si dhe për qasjen institucionale dhe demokratike që kemi ndjekur përgjatë këtij procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procesin paraprak ankimor pranë instancave gjyqësore kompetente”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shtuar se ” në jetën demokratike të komunës tonë, ky as nuk ka qenë e as nuk do të jetë procesi i fundit zgjedhor”.

“Ne jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe bashkë-ndjejmë me respekt edhe sfidat dhe sukseset e njëri-tjetrit. Prandaj, le të shërbejë ky rast si moment reflektimi për të mirën tonë të përgjithshme, e assesi si pikë e dallimeve e mospajtimeve tona. Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Sharr, ka mbështetje të gjerë popullore, gëzon një stabilitet të fuqishëm politik dhe do të ringrihet edhe më fuqishëm përballë betejave zgjedhore e demokratike.

Do të qëndrojmë krenarë në opozitë dhe nuk do të mjaftohemi për të kritikuar eventualisht për punët dhe mospunët e ekzekutivit të ri, por duke qenë subjekt me traditë të gjatë institucionale, ne fuqishëm do të ofrojmë edhe alternativën tonë qeverisëse opozitare për ta rikthyer PDK-në në vendin e saj të merituar”, është shprehur ai.

Ndryshe, në bazë të dhënave nga QNR, kandidati i LDK-së Bexhet Xheladini prin me 470 vota ndaj kandidatit të PDK-së, Shaban Shabani, i cili ka marrë 173 vota.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera