Opinione

Sfidat e Komunave në raportimet financiare

Autori: Elbasan Racaj 16:26 | 14 February 2020

Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, si në nivelin qendror po ashtu në nivelin lokal të qeverisjes, janë të obliguara të paraqesin të dhëna mbi buxhetet e tyre dhe mbi shpenzimin e të njëjtave buxhete.

Obligimi i raportimit të shpenzimeve financiare rrjedh nga kushtetuta e Republikës si dhe nga ligjet në fuqi. Neni 120, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës, përcakton qartë se shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës. Obligimi i raportimit, për Komunat e Republikës, është i rregulluar edhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale i cili në nenin 66, paragrafi 68.4, përcakton se Kuvendet e Komunave miratojnë rregullore komunale që promovojnë transparencë të organeve legjislative, ekzekutive dhe administrative të Komunës. Hartimi dhe miratimi i Planeve Komunale për Transparencë përbën një tjetër obligim ligjor për të gjitha komunat dhe përmes së cilit rregullohet në detaje hapësira e transparencës Komunale.

Raportet periodike financiare nga ana e 38 Komunave të Republikës, të cilat përveç përmbushjes së obligimit ligjor për t’i bërë Komunat sa më transparente, kanë për qëllim edhe informimin e një game të gjerë të qytetarëve me përmbajtjet buxhetore Komunale si dhe shpenzimet financiare. Megjithatë, në këtë rrafsh paraqiten mangësi dhe sfida në sistemin e qeverisjes lokale.

-Advertisement-

Si mangësi e parë paraqitet mos publikimi më kohë i raporteve financiare nga disa Komuna të Republikës. Numri i Komunave të cilat kanë publikuar me vonesë raportet financiare në ueb-faqet e tyre, për periudhën Janar–Qershor 2019, arrin në shtatë. Pra janë gjithsej shtatë Komuna të cilat nuk i kanë respektuar afatet ligjore të publikimit të raporteve financiare për këtë periudhë.

Sfida kryesore paraqitet në mungesën e publikimit të raporteve financiare nga Komunat. Janë gjithsej 12 Komuna të cilat nuk kanë publikuar raporte financiare për periudhën Janar-Qershor 2019, në momentet kur Lëvizja FOL ka bërë monitorimin në ueb-faqet e tyre. Mos publikimi i raporteve financiare nga ana e këtyre Komunave, përveç që shkel normat kushtetuese dhe rregullat ligjore në fuqi, cenon po ashtu të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi buxhetet dhe shpenzimet Komunale, gjegjësisht ua mohon të drejtën qytetarëve që të kërkojnë llogaridhënie nga zyrtarët Komunalë mbi shpenzimin e parasë publike.

Si sfidë tjetër për qytetarët, për t’i lexuar në mënyrën e duhur të dhënat mbi shpenzimet financiare, në ato raste kur kemi publikim të raporteve financiare, është mos strukturimi i të dhënave. Disa nga Komunat plasojnë, pa përpunuar, raportet e Ministrisë së Financave ashtu siç i pranojnë ato dhe të njëjtat raporte dallojnë, në disa raste, rrënjësisht nga njëra tjetra. Një pjesë e Komunave nuk i paraqesin të gjitha kategoritë buxhetore në raportet e tyre mbi shpenzimet financiare dhe si të tilla këto raporte nuk i informojnë qytetarët mbi shpenzimet Komunale. Në këtë kuadër, raportet financiare publikohen në forma të ndryshme elektronike, pa asnjë standardizim dhe me disa nga Komunat të cilat raportet e tyre i publikojnë pa logo. Rastet më të shpeshta të publikimit të pastrukturuar të të dhënave mbi shpenzimet financiare janë në formën excel të cilat janë të deshifrueshme vetëm për profesionistë të ekonomisë dhe financave, por jo edhe nga publiku i gjerë edhe pse qëllimi kryesor është informimi i publikut me këto shpenzime.

Të njëjtat raporte vështirë gjinden nga qytetarët në ueb-faqet e Komunave. Nuk ekziston një standard të publikimit të tyre ne ueb-faqet Komunale dhe të njëjtat plasohen në rubrika të ndryshme, duke e bërë të vështire gjetjen e tyre nga ana e qytetarëve. Disa nga Komunat, përveç mos publikimit të raporteve financiare në ueb-faqet e tyre, nuk paraqesin as të dhëna apo kontakte përmes së cilave qytetarët do informoheshin mbi qeverisjen lokale si dhe do kishin mundësinë e kontaktimit të zyrtarëve Komunalë.

Mënyra e vetme e kapërcimit të këtyre sfidave, si dhe përmbushjes së mangësive, do të ishte një bashkëpunim i tejet i ngushtë dhe profesional në mes të dikastereve përkatëse qeveritare dhe Komunave të Republikës në:

 

  • Strukturimin në një formë të njësuar të raporteve financiare për të gjitha 38 Komunat e Republikës;
  • Nxitjen, dhe monitorimin e Komunave, për t’i publikuar me kohë raportet periodike financiare;
  • Ri-strukturimin e ueb-faqeve të Komunave në mënyrë që të njëjtat të thjeshtësohen dhe të kenë rubrika standarde në të cilat publikohen dokumentet përkatëse.

 

Strukturimi i duhur i raporteve financiare, publikimi si dhe thjeshtëzimi i gjetjes së tyre në ueb-faqet e Komunave, do e përmbushnin qëllim kryesor të respektimit të normave kushtetuese, ligjeve në fuqi dhe të informimit të qytetarëve nga ana e Komunave mbi proceset, vendimet, buxhetet dhe shpenzimet Komunale.

 

Lëvizja FOL, përmes projektit “Transparencë dhe Llogaridhënie e Komunave Kundrejt Taksapaguesve”, të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, është duke bërë monitorimin e shpenzimeve nga ana e Komunave të Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave, të dhëna këto që do duhej të publikoheshin përmes publikimit të raporteve financiare nga ana e Komunave.

 

“Ky projekt financohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera