Lajme

Sevdije Morina kërkon 20 mijë euro dëmshpërblim nga ish u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha

Autori: Gazeta inFokus 18:56 | 16 September 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të enjte ka filluar ta shqyrtojë padinë e ushtruar nga zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, për kompensim të dëmit moral për fyerje dhe shpifje kundër ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Sylë Hoxha.

Morina pretendon se ish-prokurori Syla në konferencën e mbajtur në mars të 2015 si ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit ka fyer rëndë dhe ka shpifur të pavërteta kundër saj në kohën kur ishte anëtare e Këshillit Prokurorial, prokurore dhe ushtruese e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

Sipas padisë, për këto shpifje dhe fyerje, Sevdije Morina po kërkon 20 mijë euro kompensim nga ish-prokurori special Sylë Hoxha.

-Advertisement-

Në këtë seancë përgatitore të udhëhequr nga gjykatësi Përparim Zeka, palët ndërgjyqëse kanë paraqitur pretendimet e tyre për këtë rast.

Lidhur me këtë, përfaqësuesja e paditëses Morina, avokatja Albana Kelmendi deklaroi se nuk është kontestues fakti se më 16 mars 2015, i padituri Sylë Hoxha, në konferencën për shtyp të organizuar, ka fyer rëndë paditësen dhe ka shpifur të pavërteta ndaj saj.

“Pra, në këtë çështje kemi të bëjmë me shpifje dhe fyerje nga i padituri, dhe këtë e ka bërë me letër të hapur, përmes adresimit të tij për publikun. Gjykatës me padi i kemi propozuar që të administrojë si provë adresimin e të paditurit ku në faqen 14 par.1, në mënyrë shprehimore i drejtohet mediave, qytetarëve, duke thënë: “Është iniciuar shkarkimi nga dy prokurorë, zonja Sevdije Morina e cila vazhdon atë që ka filluar Rrahman Morina, në vitin 1999”, deklaroi avokatja Kelmendi.

E njëjta njoftoj se gjykatës i kishte propozuar që të administrojë si provë letrën të cilën i padituri Hoxha e ka lexuar para mediave atë ditë.

Sipas avokates Kelmendi, referuar në Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, prokurorët obligohen që të përmbahen nga deklaratat me të cilat cenohet familjarët, nderi, autoriteti dhe reputacioni i një personi.

“Theksoj se paditësja, është fakt kunata e zotit Rrahman Morina, mirëpo cila është lidhja kauzale që e njëjta të ketë vazhduar atë që i padituri ka theksuar në këtë publikim drejt publikut. Pra me këtë paditëses i është shkaktuar dëm i madh, kjo duke marrë parasysh pozitën që mban në Prokurori dhe Këshillin Prokurorial. Pra, interesi publik, në rastin konkret është keqinterpretuar, ngase fyerja në raporte familjare dhe private, nuk paraqet interes publik në kuptim të ligjit për shpifje dhe fyerje”, shtoi avokatja Kelmendi.

Shpifje sipas avokates Kelmendi përbënte edhe deklarimi i bërë nga i padituri Hoxha atë ditë, se paditësja kishte realizuar takime me prokurorin për krime lufte në Serbi e se ndaj shtetasve kosovarë po lëshoheshin fletëarreste ndërkombëtare bazuar në dokumentet e marra nga prokuroria ku vepronte paditësja.

“Si i arsyeton që gjatë tërë kësaj kohe, kjo prokurori, ka zhvilluar takime me prokurorin për krime lufte në Serbi dhe si e shpjegon që tërë kohën Serbia lëshon fletëarreste ndërkombëtare kundër shtetasve kosovarë me të njëjtat dokumente që merren nga kjo prokurori. A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë për ju personalisht si pjesë e menaxhmentit në këtë prokurori”, thuhet në citatin e lexuar nga avokatja Kelmendi.

Lidhur me këtë, avokatja Kelmendi ka propozuar që si provë të administrohet letër porosia e dërguar nga paditësja në adresë të drejtorit të Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, Arbër Gegaj.

Për të saktësuar dëmin e pretenduar, avokatja Kelmendi i ka propozuar gjykatës që të caktojë ekspertë nga fusha e psikiatrisë forenzike, konkretisht psikiatrin Jeton Zogaj.

Këto pretendime të palës paditëse i ka kundërshtuar përfaqësuesi i paditësit Hoxha, avokati Diamant Zekaj.

Sipas avokatit Zekaj, në bazë të provave dhe pretendimeve të përfshira në padi, nuk janë plotësuar elementet ligjore lidhur me shpifjen dhe fyerjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Zekajt, deklarimet e bëra nga i padituri në cilësi e ushtruesit të detyrës së kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), janë të mbrojtura me nenin 10 të Ligjit për KPK-në, që ishte në fuqi në vitin 2015.

“Ky nen garanton imunitet për anëtarët e Këshillit dhe të njëjtit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, padi civile apo shkarkime për veprimet e kryera, vendimet e marra, apo për shprehjen e mendimeve, që janë brenda fushëveprimit të përgjegjësisë të tyre, si anëtarë të këshillit”, deklaroi avokati Diamant Zekaj.

Më pas, Zekaj ka shtuar se nëse paditësja kishte qenë e bindur se i padituri ka fyer dhe shpifur në adresë të saj, ka pasur mundësi që të iniciojë procedurë disiplinore ndaj të paditurit Hoxha, veprim ky që sipas tij nuk është ndërmarrë nga paditësja Morina.

Avokati Zekaj theksoi se pyetjet që klienti i tij ka parashtruar ditën e konferencës ndaj paditëses Morina nuk janë të natyrës personale, por se janë adresuar brenda kompetencave të ushtruesit të detyrës së kryesuesit të KPK-së, funksion ky i ushtruar nga Hoxha gjatë asaj kohe.

“Lidhur me pretendimet e cekura në padi, i padituri u adresohet me pyetje se a ka njohuri për ato veprime të cilat po ndodhin, në institucionin që ajo e udhëheq dhe nuk i është drejtuar paditëses për asnjë çështje personale dhe këto pyetje janë adresuar brenda kompetencave të kryesuesit të këshillit prokurorial përkatësisht në bazë të nenit 4 të ligjit për KPK, ku detyrat, kompetencat dhe kufizimet e këshillit, përcakton se këshilli mbikëqyrë administrimin e prokurorive dhe personelit të saj, përfshirë Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga paditësja”, shtoi Zekaj.

Ai i ka propozuar gjykatës që të administrojë si provë procesverbalet e takimeve të KPK-së, që nga koha kur i padituri është caktuar u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit dhe u.d kryesues i KPK-së, në muajin gusht 2014 e deri në kohën kur është bërë pranim-dorëzimi i pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit tek Aleksandër Lumezi në muajin prill 2015.

Po ashtu, si provë për tu administruar pranë kësaj gjykate, Zekaj ka propozuar edhe vendimet lidhur me zgjatjen e mandatit të paditëses, mënyrën e votimit, përfshirë procesverbalet burimore dhe audioincizimet si dhe raportin e performancës gjatë kohës sa paditësja ka qenë në PSRK.

Më pas, gjykatësi Zeka mori aktvendim që në shqyrtimin kryesor të administrohen provat që janë bashkangjitur në padi, ndërsa ka refuzuar propozimin e të autorizuarit të të paditurit për marrjen e provave të lartcekura dhe atë të avokates Kelmendi, për marrjen e provës me ekspertizë nga lëmia e psikiatrisë.

Seanca e shqyrtimit kryesor në këtë rast u caktua për 14 tetor 2021, në ora 9.30.

Sipas padisë së parashtruar më 5 maj 2015, thuhet se i padituri, Sylë Hoxha më 16 mars 2015, në konferencën e organizuar për shtyp të mbajtur në sallën e takimeve në ish ndërtesën e Bankës së Lubjanës në Prishtinë, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka fyer rëndë dhe ka shpifur të pavërteta kundër paditëses Sevdije Morina, si anëtare e Këshillit Prokurorial, prokurore dhe ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

Siç thuhet në padi, i padituri në konferencën për media, fyen paditësen dhe familjen e saj duke thënë “Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, Znj. Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989, dhe mbështetur nga Idain Ismajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999, dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 19997”.

Sipas padisë, më këtë i padituri Hoxha, ka fyer rënd paditësen dhe familjen e saj duke aluduar ne familjarë të cilët nuk jetojnë për një çerek shekulli dhe u transmetuar fyerja e të paditurit në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara ka bërë që paditësja të ndihet keq në vendin e punës, në familje dhe në rrethin ku jeton, duke i shkaktuar dëm shumë të madh për pozitën që mban si prokurore.

Sipas padisë, njëkohësisht, në të njëjtën konferencë i padituri publikisht shpif kundër paditëses se kinse paditësja si ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale, me veprimet e saj ka dëmtuar qytetarët dhe Republikën e Kosovës, duke u takuar me Prokurorinë për Krime Lufte në Serbi dhe duke u dhënë atyre informacione në bazë të të cilave Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka lëshuar fletëarreste ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës

Në bazë të padisë thuhet se i padituri shpif me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses si prokurore dhe ushtruese e detyrës së Kryeprokurores duke e ditur se ajo informatë nuk është e vërtetë por është pikërisht e kundërta e saj.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë me arsyetimin se i njëjti e ka ditur që deri më 30 maj 2015 kompetencat e Prokurorisë Speciale te Kosovës kanë qenë në duart e prokurorëve të Eulex-it, dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale nuk kanë pasur asnjë kompetencë dhe nuk kanë zhvilluar asnjëherë kurrfarë takimesh me Prokurorinë për Krime Luftë në Serbi.

Në padi thuhet se paditësja përkundër kësaj që ka fyer i padituri e njëjta pas bartjes së kompetencave në Prokurorinë Speciale, i është drejtuar Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, me përgjigje në letër porosinë e Serbisë duke kërkuar nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Drejtësisë që të mos i procedojnë rastet e tilla asnjëherë kur kemi të bëjmë me shtetas të Republikës së Kosovës.

Sipas padisë, i padituri duke vepruar në kundërshtim me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, është përgjegjës për shpifje dhe fyerje ndaj paditëses, duke i shkaktuar dëm moral dhe dëmtim të reputacionit nga shpifja dhe fyerja, pasi të njëjtat janë bërë përmes mjeteve të informimit publik, dhe në takim publik.

Andaj, në padinë thuhet se paditësja kërkon nga Gjykata që të nxjerr aktgjykim me anë të se cilit detyrohet i padituri Sylë Hoxha qe paditëses Sevdije Morina t’ia paguaje shumën prej 20.000 euro, për dëmin moral, cenimin e reputacionit dhe personalitetit të saj, me kamatë ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën përfundimtare. / Betimi për Drejtësi /

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera