Opinione

Serbia para çfarëdo Zajednice do ruajtje status-quoje (1)

Autori: Gazeta inFokus 12:06 | 13 February 2023

Qëllimi madhor i Serbisë

Serbia – ashtu siç s’i ka pranuar dhe zbatuar marrëveshjet e kaluara me Kosovën – asnjëherë s’e ka pranuar as Planin e Ahtisarit që parasheh Zajednicën. Madje të njëjtin s’e ka ratifikuar as në Parlament. Serbia përpiqet me çdo kusht që të mos zgjidhet çështja e veriut të Kosovës në veçanti dhe i tërë problemi i Kosovës në përgjithësi, sepse përmes tensioneve të kohëpaskohëshme në veri ia del që:

– ta sfidojë seriozisht sovranitetin dhe sigurinë e shtetit të Kosovës duke e mosnjohur atë;

-Advertisement-

– ta parandalojë shpërnguljen e serbëve të Kosovës drejt Serbisë për shkak të paperspektivës në veri;

– ta forcojë lidershipin e saj politik në Serbi dhe t’i mbajë gjallë ndjenjat nacionaliste te serbët në Kosovë e Serbi;

– ta mbajë të përçarë skenën politike në Kosovë (siç aktualisht është) duke ia konsumuar tërë energjinë politike që e njëjta të merret vetëm me problemin e veriut e jo me problemet konkrete të qytetarëve të Kosovës siç edhe po ndodh që sa vite; si dhe

– të pengojë çfarëdo integrimi rajonal që për synim ka BE-në ku Kosova do të ishte e zhbllokuar (Ballkani i Hapur i shtyrë nga amerikanët dhe Procesi i Berlinit i shtyrë nga gjermanët janë shembuj të kësaj bllokade nga Serbia e mbështetur nga Rusia).

Prandaj, ruajtja me çdo kusht e status-quosë në veri të Kosovës është qëllimi madhor i Serbisë dhe Rusisë. E Perëndimi po përpiqet që sa më shpejtë ta ndryshojë pikërisht këtë status-quo, ku humbëse në çfarëdo varianti do të dalë Serbia e fituese Kosova, sepse është Kosova ajo që është e bllokuar e asesi Serbia, prandaj zhbllokimi i gjendjes në veri do të çojë ujë te Kosova. Serbia e përdor Zajednicën vetëm për ta ruajtur status-quonë, e jo për ta zgjidhur problemin me Kosovë, pra e ka instrument për ta mbajtur Kosovën larg çdo marrëveshjeje.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës s’e ka telashen me bërjen e Zajednicës, sepse e di shumë mirë që ajo edhe ashtu do të bëhet sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës me garanca të fuqishme amerikane e evropiane. Telashen e paanashkalueshme Qeveria e Kosovës e ka te premtimi i saj mbi 10 vjeçar që Zajednica s’do të bëhej në asnjë mënyrë. E shkelja e premtimit automatikisht do të thonte humbje e votave me premisa humbjeje pushteti. Kjo sepse premtimi publik për mosformimin e Zajednicës ka qenë kauza kryesore për të ardhur në pushtet.

Prandaj, qeveria aktuale këtë problem ka, se si ta paketojë disi Zajednicën, mundësisht me një emërtim tjetër që të bëhet sa më e padukshme, në mënyrë që mos t’i rrezikohet pushteti. Dhe për këtë, Qeveria e Kosovës tanimë u ka premtuar publikisht amerikanëve dhe evropianëve se e pranon planin franko-gjerman, i cili parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara Kosovë-Serbi me Zajednicën (jo njohjen) në qendër.

I tërë problemi tani është se si do të paketohet Zajednica para qytetarëve, për t’u shitur si fitore e asesi si shkelje e premtimit mbi 10 vjeçar. Është e njëjta situatë sikurse me Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi: ata që i kundërshtuan ato  më së shumti, po ata edhe i miratuan, sigurisht duke gjetur arsyetime të ndryshme siç rëndom bën politika. (Vazhdon)

Shkruan: Agron Hoti

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera