Kulturë

Serbia kërkon nga UNESCO që lahuta të njihet si pasuri e tyre, habitë reagimi i Shqipërisë

Autori: Gazeta inFokus 12:40 | 05 December 2018

Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e lahutës” prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë reagoi sot për lajmin e shpërndarë dje se UNESCO kishte pranuar se lahuta është trashëgimi kulturore jo materiale e Serbisë dhe jo shqiptare.

“Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare, por serbe” thuhet në sqarimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, shkruan Gzeta inFokus.

-Advertisement-

Nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

“Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin” thuhet në reagimin e Ministrisë së Shqipërisë, shkruan inFokus.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë tha se është në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi në mënyrë që bashkë të vazhdojnë procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aspekt kulturor specifik.

Sipas njoftimit një dite më parë UNESCO e përfshiu këtë instrument në listën përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomatëriale të Njerëzimit për vitin 2018,  si pasuri jomateriale e Serbisë./Xhejlane Kaçiu/Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera