Lajme

Serbi me flet-arrest ndërkombëtar, emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 09 August 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekretuar si gjyqtar kushtetues Radomir Labanin, personin me flet-arrest ndërkombëtar. Dekretimi i tij është bërë në paketë me anëtarët e rinj të gjykatës kushtetuese të cilët tash e një kohë të gjatë kanë marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës për t’u bërë “gardianë të Kushtetutës”, shkruan AktivPress.

Zvarritja e dekretimit të gjyqtarëve të rinj ishte shkaktuar pikërisht për shkak të Labanit, pasi ai është i kërkuar nga Serbia për vuajtjen e një dënimi me burg për shkak të keqpërdorimeve në dogana. Laban, ndryshe njihet në Serbi edhe si “mafia e Doganava”. AktivPress ka raportuar më herët se presidenti ka kërkuar raport nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për të kaluarën e Labanit, mirëpo përgjigja që ka marrë nga to, ka qenë se ai nuk ka telashe me ligjin në Kosovë. Kaq ka mjaftuar për presidentin Thaçi që ta dekretoj atë për gjyqtar kushtetues.

Kur në vitin 2006 ishte vënë në kërkim të autoriteteve serbe si i dyshuar për korrupsion në dogana, Laban vështirë se do ta ketë besuar se karriera e tij nuk kishte filluar të shembej, por po merrte hov pikërisht nga ai moment. Si një djalë i rritur në Kosovë, me një shqipe pothuajse të përkryer, ai s’e pati problem që ta lë Kralevën dhe të gjej “strehë” në vendin e origjinës. Në janar të vitit 2011, ai nisi punën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si këshilltar juridik senior.

-Advertisement-

Angazhimin e tij e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese ndonëse nuk është lëshuar në të kaluarën e tij. “Në vitin 2011, së bashku me Formularin e aplikimit për punë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, z. Laban ka dorëzuar njëherësh edhe të gjitha dokumentet e kërkuara për punësim sipas ligjeve në fuqi”, ka qenë përgjigja e Gjykatës, kur është pyetur nga AktivPress, nëse është verifikuar biografia e Labanit, para se të pranohej në punë.

Thaçi ka thënë se dekretimin e gjyqtarëve e ka bërë në mbështetje të Kushtetutës, Ligjit për Presidentin, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ceremonia e  betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot, ku e pranishme ka qenë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi, që sot kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë. Prej mesit të muajit maj, Kushtetuesja pati mbetur në vetëm katër gjyqtarë./AktivPress/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera