Fokus

Serbet bojkotojnë ministrinë e Shëndetësisë – dy të infektuarit nuk përgjigjen as në telefon

Autori: Halil Berisha 17:58 | 29 March 2020

Kosova është izoluar. Kjo duke mbyllur edhe kufijtë me vendet përreth.

Krejt kjo shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, shkruan gazeta inFokus.

Por, edhe pse virusi nuk njeh komb, nacionalitet e as përkatësi etnike disa qytetarë të Kosovës, madje edhe institucione, nuk po pranojnë të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë e as Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dy institucione këto, që merren me të infektuarit e parandalimin e përhapjes së Koronavirusit.

-Advertisement-

Këta qytetarë që nuk po e pranojnë bashkëpunimin janë të komunitetit serb në Kosovë, e institucionet janë në zonat e banuara me këtë komunitet.

Gazeta inFokus, ka dërguar pyetje në lidhje me këtë problematikë në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë pranuar se deri tash nuk ka asnjë rast me COVID-19 të raportuar nga zonat e banuara nga komuniteti serb.

Kjo pavarësisht ligjit, që i obligon ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan gazeta inFokus.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, për gazetën inFokus, ka treguar se deri tash nuk ka pas as edhe një kërkesë as për testim nga këta qytetarë.

“Testimet bëhen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i përmbushin kriteret për testim sipas protokollit (kanë ardh nga vendet e prekura ose kanë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara dhe të dyshimta). Deri më tani nuk e kemi asnjë rast me COVID-19 të raportuar nga institucionet shëndetësore të zonave të banuara nga komuniteti serb, edhe pse sipas Ligjit për Parandalim dhe luftim te sëmundjeve ngjitëse janë të obliguar të raportojnë në IKShPK.

Të gjitha rastet që rezultojnë pozitive IKSHPK i teston në kontaktet e tyre pas një periudhe të caktuar kohore, por në mungesë të të dhënave dhe raportimit deri më tash, nuk ka pas asnjë kërkesë për testim dhe në mungesë të informacionit nuk janë bërë testime”, ka thënë Hoti.

Megjithatë, dy pjesëtarë të këtij komuniteti, tashmë janë infektuar me virusin në fjalë.

E këtë inforamtë, Ministria e Shëndetësisë e ka marrë tek prej institucioneve tjera të Kosovës, shkruan gazeta inFokus.

E këta edhe janë kontaktuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Mitrovicë, për që të cilët nuk e kanë hapur telefonin.

“Megjithatë, nga institucionet tjera të Republikës së Kosovës kemi marrë informacion për personat që kanë rezultuar pozitiv (2) dhe kanë pas numër kontaktues të telefonit.

Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Mitrovicë ka provuar disa herë të kontaktoj me ta për të bërë mbikëqyrjen e tyre, por nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike”, ka thënë Hoti për inFokus.

Ndërsa, gjithashtu Hoti ka shtuar se posa të konfirmohen rastet e komunitetit serb në Republikën e Kosovës, nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, do t’i regjistrojë në listë dhe në bazën e të dhënave dhe do të analizohen bashkë me rastet e tjera./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera