Lajme

Serbët bllokojnë rrugën për në Rashkë

Autori: Gazeta inFokus 13:35 | 13 October 2021

Rruga magjistrale Prishtinë-Rashkë është bllokuar nga ana e banorëve lokalë në shenjë kundërshtimi për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës i cili u zhvillua të mërkurën në disa komuna të Kosovës përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në veriun e Kosovës thonë se serbët lokalë bllokuan rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë në vendbanimin Rudarë në komunën e Zveçanit.

Sipas raportimeve rreth 200 qytetarë u mblodhën në këtë lokacion dhe aty u vendosën disa kamionë në rrugë në shenjë proteste.

-Advertisement-

Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, gjashtë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore. Ky është epilogu i një aksioni kundër kontrabandës së Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u prit me kundërshtim në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia tha se ka arrestuar tetë persona.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera