Fokus

Senati i UP-së kundërligjshëm ia zgjatë mandatin komisionit vlerësues në konkursin për profesorë të kirurgjisë

Autori: Islam Morina 16:51 | 24 November 2021

Senati i Universitetit të Prishtinës, të hënën e 22 nëntorit ka mbajtur mbledhjen e radhës, me ç’rast ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të komisionit vlerësues, për përzgjedhjen e 5 profesorëve të kirurgjisë, sipas konkursit të datës 17 maj 2021.

Ky komision është i 5-ti me radhë, e i cili është në përbërje të Prof. Asoc. Ramë Miftari, i Mjekësisë Nukleare, në cilësinë e kryetarit të komisionit edhe pse nuk i përket Katedrës së Kirurgjisë, ashtu siç kërkohet me Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”, të datës 16.02.2021.

Kurse anëtarë ndërkombëtar të këtij komisioni janë: Prof. Dr. Irfan Coskun dhe Prof. Ass. Dr. Zeliha Turkyrlmaz, nga Universiteti “Trakya”, i Turqisë.

-Advertisement-

Kjo zgjatje e mandatit të komisionit aktual, ka ndodhur përderisa një mundësi e tillë, nuk i ishte dhënë komisionit paraprak edhe përkundër faktit se komisioni me përbërje të Prof. Asoc. Ramë Miftari kryetar nga Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë, dhe anëtarëve Prof. dr. Etmont Celiku dhe Prof. Enton Bollano nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, nuk ishte njoftuar zyrtarisht për kohën se kur duhej ta kryente detyrën dhe përkundër gatishmërisë së anëtarëve nga Tirana, që ta vazhdonin vlerësimin e kandidatëve për profesorë të kirurgjisë, për të cilën Gazeta Infokus pati raportuar, duke publikuar edhe letërkëmbimet zyrtare mes dy fakulteteve.

LEXO EDHE: Edhe një komision i ri për përzgjedhjen e 5 profesorëve të kirurgjisë

Vazhdimi i mandatit të komisionit vlerësues për përzgjedhjen e 5 profesorëve të kirurgjisë, i marrë me 22 nëntor 2021, me propozimin dhe rekomandim të Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kerliu, është në kundërshtim me Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”, të datës 16.02.2021.

Kjo rregullore në nenin 16 të saj, paragrafi 4 parasheh që konkursi duhet të përmbyllet me vendime përkatëse të Senatit të UP-së brenda periudhës 175 ditore, nga dita kur është shpallur konkursi e që i bie se ky afat ka kaluar më 7 nëntor dhe se vendimi për zgjatje prej 30 ditësh do të duhej marrë më 7 nëntor dhe jo në mbledhjen e së hënës së 22 nëntorit, pasi një vendim i tillë është jashtë të gjitha afateve kohore të parapara me aktin juridik, siç është rregullorja që është miratuar nga vet Senati i UP-së.

Ndërkaq edhe sikur Rektori Sahiti, të përdorte diskrecionin që ia jep paragrafi 5 i nenit 16 të rregullores, sërish nuk ka afat që të konsumohen të gjitha mjetet ligjore të parapara për këtë konkurs brenda datës 7 dhjetor, kur edhe do të kalonte ky afat pas miratimit nga Senati i UP-së, vendim ky që në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 22 nëntor 2021, nuk u vu në votim fare, por vetëm u përmend.

Rektori Sahti ka kërkuar nga Dekanja Manxhuka Kerliu, që të propozojë një zgjidhje pasi komisioni kishte vështirësi në shkrimin e raportit recensues.

“Komisioni është i përbërë nga dy ndërkombëtar dhe një vendor dhe ka pasë vështirësi në shkrimin e raportit recensues, andaj fjalën i jap Dekanes dhe të del me një propozim konkret se si të vazhdojmë më tutje”, ka thënë Rektori Salihu në mbledhjen e Senatit të UP-së.

Ndërsa Dekanja Manxhuka Kerliu, në propozimin e saj ka kërkuar që komisionit ti vazhdohet mandati edhe për dhjetë ditë të tjera, duke arsyetuar se anëtarët nga Turqia nuk kanë mundur ta shkruajnë raportin recensues, ngase ata nuk e kuptojnë gjuhën shqipe dhe rregullat e punës siç janë të përcaktuara me rregullore e statut të UP-së.

“Ne prap kërkuam nga ju që të propozoni një komision tjetër ndërkombëtar dhe jemi të interesuar që lënda e kirurgjisë të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, e të mos kemi probleme dhe t’i arrijmë afatet ligjore. Në këtë rast ju na propozuat anëtarë të komisionit nga Turqia, të cilët kanë probleme në aspektin se nuk i njohin aq mirë rregulloret tona dhe statutin, plus duhet të shkruajnë në gjuhën jo amtare, pra angleze dhe duket se kanë nevojë për kohë, prandaj në kuadër të bazës ligjore, në qoftë se kemi bazë ligjore, a ka mundësi që të shtyhet disi ky afat që të jepet hapësirë që mos të na dështojë prap konkursi i kirurgjisë?”, ka thënë Manxhuka Kerliu.

Në mbledhjen e Senatit ky mandat është zgjatur kundërligjshëm edhe për 10 ditë mandati komisionit, në kundërshtim me rregulloren të cilën vet Senati i UP-së e ka aprovuar.. Zgjatjen e mandatit të komisionit vlerësues e përjashton neni 12 i rregullores, përkatësisht pikat 17 , 18  dhe 19 të cilat parashohin se në rast të mos përmbushjes me kohë të detyrës nga ana e anëtarëve, ata dërgohen në Këshill të Etikës dhe emërohet komision i ri, kurse komisionit të ri i jepet afat 10 ditor  shtesë për vlerësimin recensues, por që askund nuk parashihet që pas këtij afati shtesë komisioni të merr edhe një afat tjetër shtesë siç u veprua në rastin e mbledhjes së Senatit të UP-së, që u mbajt me 22 nëntor 2021. Afati prej 15 ditësh parashihet vetëm për komisionin e parë, dhe jo për komisionet e reja të formuara pas shkarkimit të atij të parit.

Konkursi për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, qysh nga fillimi është shoqëruar me parregullsi dhe shkelje të rregullores së miratuar nga Senati i UP-së për këtë çështje, e për të cilat në vazhdimësi Gazeta Infokus ka raportuar.

LEXO EDHE: Katedra e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë pa profesorë: Rregullore kontradiktore, presione dhe emërime komisionesh në kundërshtim me rregulloren (DOKUMENT)

Kujtojmë se edhe pse komisioni vlerësues është shkarkuar 4 herë radhazi dhe tash është formuar komisioni i pestë, profesori Ramë Miftari, për të tretën herë radhazi vazhdon të mbetet kryetar i komisionit, ndërsa anëtarët zëvendësohen me anëtarë të rinj. Rregullorja e parasheh që komisioni që nuk iu përmbahet afateve kohore të përcaktuara me rregullore të shkarkohet komplet dhe të emërohet komision i ri, e jo të zëvendësohen vetëm anëtarët e tij.

Gazeta Infokus nga burimet e veta brenda Fakultetit të Mjekësisë, ka mësuar se qysh në komisionin e katërt me radhë, Ramë Miftaraj, si kryetar i komisionit vlerësues ka dërguar listën me 5 emra të kandidatëve që duhet të përzgjidhen, pa u konsultuar dhe pa u takuar fare me anëtarët nga Shqipëria. Emrat e kandidatëve që Miftaraj i ka përzgjedhur vet, janë të njohur për redaksinë.

Kujtojmë se momentalisht Katedra e Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, ka mbetur pa asnjë profesor të kirurgjisë dhe vetëm me 12 asistentë: Ass.Dr. Asstrit Hamza, Ass.Dr. Agon Mekaj, Ass.Dr.Enver Fekaj, Ass.Dr. Halit Maloku, Besnik Bicaj, Ass.Dr. Fahredin Veseli, Ass.Dr. Petrit Nuraj, Ass.Dr. Lulzim Vokrri, Ass.Dr. Laura Leci, Ass.Dr. Floren Kavaja, Ass.Dr. Shkëlzen Duçi dhe Ass.Dr. Ylber Zejnullahu./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera