Lajme

Selmanaj, LDK: Tri skandalet e Presidentes në deklaratën për mosdekretimin e kryeprokurorit

Autori: Gazeta inFokus 19:11 | 18 October 2023

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, e ka cilësuar si skandaloz adresimin e presidentes Vjosa Osmani, në konferencën e mbajtur të martën, në të cilën ajo bëri të ditur se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Selmanaj ka numëruar tri skandale, të cilat sipas tij i ka bërë presidentja në këtë konferencë.

Sipas tij skandali i parë është që Osmani të martën ka dëshmuar “që për 18 muaj ka abstenuar, në ushtrimin e detyrimeve që ia ka përcaktuar Kushtetuta e Kosovës”.

-Advertisement-

“Neni 84.2 i Kushtetutës kur flet për kompetencat e presidentit thotë se ‘Garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë’. Ky paragraf i vesh presidentit të republikës kompetencën e garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuar me Kushtetutë. Pra kjo normë nuk është fakultative apo dëshirore për presidenten, pra nuk i lihet vullnetit të saj por është normë detyruese e domosdoshme kushtetuese, për të vepruar për mirëfunksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Sipas tij presidentja e ka lënë Kosovën mbi 18 muaj pa kryeprokuror të saj.

“Përkatësisht institucionin e pavarur që ka autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale, e ka lënë për një vit e gjysmë pa udhëheqës”, ka shkruar Selmanaj.

Skandali i dytë që e ka listuar ai “vendimi i presidentes për mosemërim të kandidatit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, i cili sipas tij, bie ndesh me paragrafin 17 të nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës. “Sipas këtij neni, kompetenca e presidentes për ‘emërim’ dhe ‘shkarkim’ kufizohet vetëm në aspektin ceremonial. Presidenti i Republikës nuk mund të kontrollojë meritën e ‘propozimeve’ që vijnë nga Këshilli Prokurorial, pra presidentja nuk mund të ushtrojë kontroll substancial mbi propozimet e Këshillit”, ka shkruar Selmanaj.

Sipas tij e vetmja hapësirë që ka në dispozicion presidentja është kontrolli i rregullsisë procedurale të ndjekur nga KPK-ja. “Problemi themelor që paraqitet në rastin konkret është se, a vërtetë presidentes iu deshën 18 muaj, për t’i kuptuar shkeljet eventuale procedurale të procesit të zhvilluar nga KPK-ja? Apo priste mos ndonjë nga instancat në gjykatat e rregullta apo Gjykata Kushtetuese, do i jepte një arsye të vetme që ta zbatojë pastaj kërkesën e Albin Kurtit për mosemërim të kandidatit të propozuar nga KPK-ja. Arsyetimet e saj se ajo ka pritur kaq gjatë për ta kuptuar se çfarë po ndodhte me ankesat e kandidatëve në instancat e gjykatave të rregullta dhe Gjykatën Kushtetuese, nuk qëndrojnë fare, sepse çështjet që trajtoheshin në këto instanca kishin të bënin me afatshmërinë e ankesave por jo me shkeljet apo parregullsitë e procesit”, ka shkruar Selmanaj.

Sipas tij skandali i tertë është se “presidentja ndër të tjera pretendoj se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Në pyetjen e gazetarëve se pse nuk i keni denoncuar presionet e tilla në organet kompetente, ajo përgjigjet: ;Kjo do duhej të ishte procedura, në raste kur funksionin një sistem i drejtësisë. Kjo është sikur të thuash shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar’. E gjitha kjo pjesë është e tmerrshme në të gjithë tërësinë e saj. E para e vendit, tregoi publikisht që ajo fshehë apo heshtë për veprën penale në të cilën ajo është subjekt. E nëse kjo vërtetë paska ndodhur, por presidentja nuk i denoncon ato në organet kompetente, atëherë kjo ose është gënjeshtër e madhe e saj ose ajo nuk ka besim fare në institucionet shtetërore e cila vet qëndron në hierarkinë më të lartë institucionale në republikën tonë. Presidente me veprime skandaloze; Vendimi skandaloz; Arsyetimet skandaloze; Skandal..skandal…skandal….”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera