Lajme

Selimi: Veseli të kërkojë vota te Srpska, Ahmeti s’do ishte kryetar pa VV-në

Autori: Gazeta inFokus 12:19 | 11 March 2018

Qeveria e Ramush Haradinajt nuk po arrin asesi që të sigurojë votat e mjaftueshme për votimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Gjatë seancave të thirrura për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Haradinaj, ka përsëritur kërkesën e tij për unifikim të të gjithë klasës politike kosovare për çështjen e kufirit me Malin e Zi, por pa sukses. E kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në mungesë të numrave, po pret ndonjë reflektim pozitiv nga deputetët opozitar të Lëvizjes Vetëvendosje, për ta votuar Demarkacionin.

Por deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi,deklarimet e Veselit i ka cilësuar si të pa qëndrueshme, dhe ka thënë se ata të cilët janë në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e votojnë Demarkacionin.

“Kush është në Vetëvendosje nuk e voton Demarkacionin. Kështu që pavarësisht që pushteti shpesh herë del në gjah, unë dua të konfirmoj, që të jesh në Lëvizjen Vetëvendosje e të votosh humbjen e territorit nuk shkojnë të dyja bashkë, prandaj deklarimet e Kadri Veselit nuk qëndrojnë”, ka thënë deputeti Selimi.

-Advertisement-

Selimi ka thënë që Qeveria Haradinaj nuk duhet të llogarisë asnjëherë në votat e deputetëve që janë në anën e interesit të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij,votat për ratifikimin e Demarkacionit, Kadri Veseli duhet t’i kërkojë brenda koalicionit dhe tek deputetët e Listës Serbe.

“Qeveria është në varësi të Listës Serbe dhe të deputetëve që nuk iu dhimbset territori. Por nuk duhet të llogaritë asnjëherë në ata që janë në anën e interesit të qytetarëve të Kosovës, që donë ta mbrojnë territorin e Kosovës. Dhe tek e fundit Veseli le ta zhvillojë gjahun brenda deputetëve të koalicionit, brenda deputetëve të Listës Serbe, sepse për fat të mirë duket që nuk e kanë arritur kompromisin anti-Kosovë, prandaj dua të them që s’ka çka lyp te Vetëvendosja, Kadri Veseli”, ka deklaruar Selimi për Periskopin.

Për deputetin e VV-së, kjo qeveri është rast unik në botë, pasi po punon kundër Kushtetutës së vendit dhe kundër interesave të Kosovës.

“Nuk e di ndonjë shembull të ndonjë shteti në botë, ku Qeveria është anti Kushtetutës vet. Qeveri ma kundërshtare ndaj shtetit të vet dhe interesave të Kosovës nuk kam parë. Jo vetëm kjo, por edhe qeveria Mustafa dhe qeveria Thaçi” është shprehur Selimi.

Lidhur me dorëheqjet e vazhdueshme brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Selimi, thotë se i vjen keq për të gjithë ata që po largohen, por pavarësisht largimeve, ai thotë që Lëvizje Vetëvendosje do të ketë gjithmonë.

“ Nuk duhet të jemi i gjatë. Më vjen keq për ata. Por në LVV ka pasur dorëheqje, mund të ketë dorëheqje, ka dorëheqje. Por ajo që është me rëndësi Lëvizje Vetëvendosje do të ketë gjithmonë. Dikush vjen ma vonë, e dikush del më herët, por LVV, vazhdon”, ka deklaruar ai.

Sa i përket dorëheqjes së kryetarit të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Selimi nuk ka dashur të flasë gjatë, duke përsëritur fjalët që ka thënë Ahmeti pas dorëheqjes nga partia.

“Shpend Ahmeti pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të ishte kryetar, dhe nuk dua të shtoj më tepër, do t’ia lëmë kohës”, ka përfunduar Selimi.

Ndryshe, ratifikimi i Demarkacionit po cilësohet si një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Eskpertë të integrimeve evropiane kanë deklaruar se në rast të mos-ratifikimit të kësaj marrëveshjeje gjatë kësaj periudhe, Kosova rreizkon që të humb shansin e liberalizimit të vizave deri në vitin 2020.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera