Fokus

Sekretarit që mundësoi të faleshin 60 milionë euro të shtetit nuk ia nin për ministra (DOKUMENT)

Autori: Xhejlane Kaçiu 16:27 | 18 April 2019

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku duket se ka krijuar komoditet aq të madh në këtë institucion sa nuk dëgjon as për ligje e as për ministra.

Ai njihet si shembull i mospërfilljes së urdhrave të eprorëve të tij.

Këtë e dëshmojnë dokumentet të cilat posedon gazeta inFokus, në të cilat Çitaku dyshohet si fajtori kryesor në shumë dëme ndaj Ministrisë së Mjedisit që kanë miliona euro kosto financiare.

-Advertisement-

Ai duket të jetë i përfshirë edhe një ndër skandalet më të mëdha të qeverisjes së Ramush Haradinaj me ambalazhuesit e ujit.

Sipas dokumenteve mos veprimi i Çitakut i ka mundësuar ambalazhuesve të ujit të mos paguajnë borxhet që arrijnë shumën 60 milionë euro.

Çitaku në maj të vitit 2015 kishte marrë një kërkesë nga ministri i atëhershëm, Ferid Agani ku kërkohej nga ai zbatimi i obligimin ligjor për lejet dhe pagesat.

Në kërkesën të cilën e posedon Gazeta inFokus, kërkohet që prioritet të ishte veçanërisht, hartimi i vendimeve financiare dhe mbledhja e pagesave ujore.

E, në këtë aspekt nuk ka ndonjë dëshmi se Çitaku mori ndonjë veprim, duke mundësuar kështu që në tetor të vitit 2017 ambalazhuesit e ujit të liroheshin nga pagesat.

Kryeministri, Ramush Haradinaj nisi qeverisjen e tij me faljen e borxhit prej 60 milionë euro ambalazhuesve të ujit, pasi Çitaku edhe pas kërkesës së ministrit Agani nuk i kishte mbledhur borxhet.

Vendimi për falje ishte marrë edhe pse shumë nga kompanitë që u falën ishin dënuar për mashtrim nga gjykatat dhe shumë të tjera janë ende në proces gjyqësor me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në bazë të dokumenteve që publikoi Gazeta Fjala, borxhliu më i madh ishte ndërmarrja sh.p.k. “Arbëria” që e prodhon “Ujin e Alpeve”, e cila kishte borxh mbi 9 milionë euro.

Vendin e dytë e zinte ndërmarrja “Fluidi”, me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga “Compact Group” që prodhon ujin “DEA”, kurse kompania që e prodhon ujin “Miros”, të cilat kishin mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Në listën e borxhlinjve figuronte edhe “Uji Rugove” dhe Birra “Peja”.

Përveç kësaj, në kërkesën e ministrit Agani drejtuar Çitakut, i cili dyshohet se ishte zgjedhur në pozitën e Sekretarit Permanent në mënyrë ilegale, thuhej se ka ngecje serioze në zbatimin e ligjit për ujërat e  Kosovës, shkruan gazeta inFokus.

Sekretari nuk kishte themeluar Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore, nuk kishte kompletuar udhëzimet administrative, nuk kishte bërë planet për pellgjet, kishte ngecje në lëshimin e lejeve, madje kishte probleme edhe me hartimin e vendimeve financiare dhe mbledhjen e pagesave ujore.

Kur u zgjodh në pozitën e Sekretarit Permanent, u raportua se Çitaku nuk kishte as diplomë fakulteti.

Në dokumentet që i publikoi Gazeta Fjala, në vitin 2015, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte lëshuar vendim të formës së prerë që konkursi të rishpallej. E ky është organi më i lartë vendimmarrës për këto raste.

Por, Çitakut nuk iu lëkund pozita. Urdhrin e Këshillit të marrë me 3.10.2011 nuk e përfilli Ministria e Administratës Publike e udhëhequr nga Mahir Jagcilar. Ndërlidhja është e fuqishme, pasi pikërisht Jagcilar ishte Ministër i Mjedisit, kur Çitaku ishte zgjedhur ilegalisht.

Madje, asnjë reagim për pozitën e tij nuk u bë asnjëherë nga asnjëri prej ministrave të kësaj Ministrie.

Gazeta inFokus i është drejtuar Sekretarit  Çitaku përmes Zyrës për Informim të MMPH-ës për të marrë informacione në lidhje me hapat që ka ndërmarrë ai pas pranimit të kësaj kërkese, por ende nuk ka marrë përgjigje. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera