Lajme

Sekretari i PDK’së: Po të mos rrëzohej Qeveria Kurti, kriza do të thellohej

Autori: Gazeta inFokus 21:21 | 19 May 2020

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se po të mos rrëzohej Qeveria Kurti, kjo do të thellonte krizën në të cilën gjendej vendi.

Ismaili ka thënë se koalicioni ishte rrëzuar për shkak të betejave të brendshme të partnerëve të koalicionit, VV-LDK.

“Si qeveri, koalicioni u shkatërrua në një betejë të brendshme të partnerëve të koalicionit të cilën ne mund ta shohim tash në perspektiva të ndryshme pasi edhe kaloi një kohë. Ajo që u vërejt ishte se ajo shumicë më nuk ekzistonte. Patëm vendim të kryeministrit e një vendim të partnerit të tij që tha se më nuk do të jemi këtu e do të fillojmë mocionin e rrëzimit. Ajo ra në ato momente”, ka thënë Ismaili në KTV.

Ai ka shtuar se “si deputetë të opozitës ne nuk kishim mandatin që ta mbanin qeverinë”, kur u pyet se përse PDK-ja votoi pro rrëzimit të qeverisë.

Se a ishte vendim i duhur rrëzimi i Qeverisë Kurti në kohë pandemie, Ismaili ka thënë se po të mos votohej “do të thellohej kriza”.

“Ne mendojmë që kjo do ta thellonte krizën. Pandemia s’është çështje javore. Është çështje për të cilën shtetet po përgatiten për muaj të tërë. Ka deklarime të OBSH-së që edhe të mësohemi të jetojmë me të. S’e shohim si krizë dyjavore. Do të ishte vendim ndryshe po të ishte ashtu, por pandemia është proces i gjatë. Nëse ke qeveri që s’ka shumicë e ku kryeministri është në raport miqësor vetëm me gjysmën e qeverisë dhe raport jomiqësor me pjesën tjetër… pamë reagime të ministrave të LDK-së që thanë po ndihemi të fyer. Kam qenë vetë ministër, ti je i varur nga shumë ministra tjerë… nëse s’punoni unison, sidomos në rastin e pandemisë, kriza thellohej. Për të përfunduar, shikoni çka po ndodh me ekonominë e vendit. Kemi pako që s’po mund të realizohet sepse s’kemi shumicë në Kuvend”, ka shtuar Ismaili.

Të tjera