Lajme

Sekretari i ardhshëm i Shtetit, Antony Blinken, lavdëron nismën e Ambasadorit Grenell për dialogun Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 08:11 | 20 January 2021

Sekretari i ardhëshëm i Shtetit, Antony Blinken, e ka përfshirë nismën e Ambasadorit Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi në listën e gjërave pozitive që ka arritur në politikën e jashtme Administrata e Presidentit Donald Trump.

Blinken që është një nga figurat kryesore të kabinetit të Presidentit-të-Zgjedhur, Joe Biden, është duke u përgjigjur pyetjeve në Senatin Amerikan, që do të aprovojë zyrtarët e rinj kryesorë amerikanë. Ishte Senatory Ron Johnson nga Wisconsin që lavdëroi rolin e Ambasadorit Grenell që shkundi nga letargjia situatën mes Kosovës dhe Serbisë dhe e nxiti kreun e ri të diplomacisë amerikane që të përmendte arritjet që vlerësonte nga administrata në largim.

Blinken, i cili çështjen e Kosovës e njeh mirë, tha se ai ishte dakord me disa lëvizje të rëndësishme të politikës së jashtme të Presidentit Trump. Mes tyre ishte kërkesa që anëtarët e NATO-s të paguajnë detyrimet që kanë premtuar, marrëveshjet e paqes mes Izraelit dhe vendeve arabe si dhe nismën e Ambasadorit Grenell për Kosovën dhe Serbinë. Sekretari-i-Emëruar-i-Shtetit, Antony Blinken, tha se e duartrokiste nismën dhe se mbeteshin ende shumë gjëra që mund t’i bëjmë për ta çuar Kosovën përpara dhe me shpresë edhe Serbinë”.

-Advertisement-

Blinken lavdëroi edhe miratimet e ligjeve “Magnitsky” që godasin zyrtarët ndërkombëtarë të përfshirë në korrupsion, duke nisur nga oligarkët rusë e që merr emrin nga avokati i njohur që vdiq në burgjet ruse pas denoncimit të një numër skandalesh korrupsioni në shtetin rus. Ai gjithashtu tha se ishte në një mendje me njeriun që do të zëvendësojë në krye të Departamentit të Shtetit, Sekretarin Mike Pompeo, që e ka quajtur trajtimin e ujgurëve myslimanë në Kinë një gjenocid.

Deklarata e Blinkenit për Grenellin mund të tingëllojë hutuese për të mos thënë zhgënjyese për shumë shqiptarë që kanë parë te Joe Biden dhe administrata e tij e ardhshme potencialin për të përmbysur ndërhyrjen jodiplomatike dhe agresive të të dërguarit special të Presidentit Trump të cilin e akuzojnë edhe se nxiti shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshjeje paqeje sa më të shpejtë. Në fakt, politika amerikane ruan një lloj vijueshmërie nga një administratë në tjetrën. Se çfarë do të ndryshojë vërtet në politikën amerikane ndaj Ballkanit dhe Kosovës në veçanti si dhe kur do të vihet re një ndryshim thelbësor kjo mund të kërkojë kohë.

Blinken është në përgjithësi një zgjedhje e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për shqiptarët si dhe Kosovën. Ai e njeh Ballkanin, ka një përvojë të gjatë në angazhimin në të që nga koha e Administratës Clinton si dhe ka takuar personalisht një numër figurash të politikës shqiptare. Duke folur përpara Senatit Amerikan sot, ai tha: “Udhëheqja amerikane vazhdon të ketë rëndësi. Është realitet që bota thjesht nuk organizohet dot vetë. Kur ne nuk angazhohemi… një nga dy gjëra ka mundësi që të ndodhin: Ose ndonjë vend tjetër del për të na zëvendësuar, ose, akoma më keq, askush tjetër nuk del”.

Blinken premtoi se nën udhëheqjen e tij dhe në Administratën e Presidentit Biden, SHBA do të ndërtojë koalicione të gjera ndërkombëtare për t’u përballur me kërcënimet e mëdha që vijnë nga Rusia, Kina dhe Irani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera