Lajme

Sekretari amerikan i Mbrojtjes kundër Trumpit për përdorimin e ushtarakëve aktivë ndaj protestuesve

Autori: Gazeta inFokus 22:21 | 03 June 2020

Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper tha të mërkurën se nuk e mbështet vënien në veprim të Ligjit për Rebelimin për të dislokuar forca ushtarake aktive për të shuar trazirat civile, një veprim që Presidenti Donald Trump kërcënoi ta ndërmarrë për të frenuar protestat që kanë trazuar kombin.

Presidenti Trump këtë javë tha se ai mund të përdorë forcat ushtarake në shtete që nuk arrijnë të shtypin protestat që ndonjëherë kanë qenë edhe të dhunshme për vdekjen e George Floyd-it, një afrikano-amerikan i paarmatosur, në duart e një oficeri të bardhë të policisë në Minneapolis.

“Mundësia për të përdorur forcat e shërbimit aktiv në një rol ligjzbatues duhet të përdoret vetëm si zgjidhja e fundit dhe vetëm në situatat më urgjente dhe më të rënda. Ne nuk jemi në një nga ato situata tani”, tha Sekretari Esper në një konferencë për shtyp. “Unë nuk e mbështes përdorimin e Ligjit për Rebelimin”.

Për të dislokuar ushtrinë në territorin amerikan për qëllime të zbatimit të ligjit, Presidentit Trump do t’i duhet të shpallë vënien në fuqi të Ligjit për Rebelimin të miratuar në vitin 1807 – diçka e bërë së fundmi në vitin 1992 në përgjigje të trazirave në Los Angeles.

Sekretari Esper tha se u pendua që përdori termin “hapësirë beteje” këtë javë për të përshkruar zonat e mbërthyera nga protestat.

“Në retrospektivë, unë do të përdorja frazologji tjetër për të mos e shpërqëndruar vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme ose për të mos u mundësuar disave të sugjerojnë se ne jemi duke e militarizuar çështjen”, tha ai.

Më herët, Pentagoni po i përgjigjej kritikave pas komenteve të sekretarit të mbrojtjes që iu referua protestave në Shtetet e Bashkuara si një “hapësirë beteje”, si dhe shqetësimit për drejtuesit e lartë të Pentagonit që shoqërojnë presidentin për të dalë në fotografi pasi protestuesit paqësorë u shpërndanë me gaz lotsjellës pranë Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një telefonate të Shtëpisë së Bardhë me guvernatorët të hënën për protestat në të gjithë vendin, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha, “Sa më shpejt që të dilni në masë dhe të dominoni në hapësirën e betejës, aq më shpejt kjo gjë do të shpërbëhet, dhe ne mund të kthehemi tek normaliteti i duhur”, dëgjohet në një regjistrim audiofonik që iu dërgua gazetarëve.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes u tha gazetarëve të martën se Esper, i cili shërbeu në një uniformë ushtarake për më shumë se 20 vjet, ishte duke përshkruar “një aktivitet relativisht të pazakontë” për përfshirjen ushtarake dhe përdorte termin “hapësirë beteje” sepse ky është termi në të cilin ushtria shpesh përdor për të folur për një zonë ku trupat po veprojnë

“Asgjë nuk duhet të lexohet në përdorimin e këtij termi për të treguar ndonjë gjë tjetër përveç se që është termi i zakonshëm që ne përdorim për zonën në të cilën po operojmë,” tha zyrtari në kushte anonimiteti.

Sekretari Esper dhe oficeri më i lartë ushtarak amerikan, Gjenerali Mark Milley, Shef i Shtabit të Përgjithshëm, gjithashtu janë përballur me kritika pas pozimit për kamerat të presidentit Donald Trump të hënën përpara kishës së Shën Gjonit, në bodrumin e së cilës ishte vendosur një zjarr i vogël natën e së dielës gjatë protestave.

Forcat speciale të policisë larguan me forcë protestuesit të hënën nga Sheshi Lafayette, një park publik para Shtëpisë së Bardhë, përpara se Presidenti Trump të ecte përmes sheshit me disa anëtarë të kabinetit të tij, si dhe Gjeneralin Milley. Presidenti në vazhdim u ndal para kishës historike duke pozuar për kamerat me një Bibël në dorë.

Zyrtari i lartë i mbrojtjes u tha gazetarëve se as Sekretari Esper dhe as Gjenerali Milley nuk kishin menduar të merrnin pjesë në pozimin për kamerat dhe në të vërtetë ishin duke shkuar në degën e FBI-së në Uashington kur iu kërkua të shkonin në Shtëpinë e Bardhë për të përditësuar presidentin me zhvillimet.

Pas mbledhjes së Shtëpisë së Bardhë, zyrtari tha se presidenti “tregoi interes për të parë forcat ushtarake që ishin jashtë, dhe sekretari dhe shefi i shtabit shkuan me të për ta shoqëruar”.

“Ata nuk e dinin se policia e parqeve dhe forcat e rendit kishin marrë një vendim për të zbrazur sheshin,” tha zyrtari. “Perceptimi i tyre ishte se po dilnin nga Shtëpia e Bardhë për të hyrë në Parkun Lafayette për të inspektuar përpjekjet për të përballuar protestat”.

Jamil Dakwar, drejtor i Projektit të të Drejtave të Njeriut në Unionin Amerikan për të Drejtat Civile (ACLU), tha se përdorimi i gazit lotsjellës ndaj protestuesve jo të dhunshëm ishte “përdorim i padrejtë i një arme të rrezikshme kimike”.

Senatori Ben Sasse, nga shteti Nebraska, kritikoi presidentin se “shpërndau një protestë paqësore për një pozim për kamerat që trajton fjalën e Zotit si një mjet politik”.

Edhe Ligjvënësi demokrat Bennie G. Thompson, nga shteti Mississippi, i cili kryeson Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë, i ka dërguar një letër drejtorit të Shërbimit Sekret duke i kërkuar një raportim të menjëhershëm mbi ngjarjen.

“Është e turpshme që Presidenti përdori fuqinë e qeverisë federale për të sulmuar amerikanët që po ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar, vetëm që të krijonte një mundësi të dilte para kamerave,” shkruajti Ligjvënësi Thompson.

Organet e zbatimit të ligjit dhe forcat ushtarake zbarkojnë në Uashington DC

Incidentet e dhunës ranë në të gjithë vendin të hënën në mbrëmje, por numri i protestuesve u duk se qëndroi po aq ose po rritet, tha shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjenerali Joseph Lengyel.

Më shumë se 18’000 ushtarakë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar në ruajtjen e paqes në qytete në të gjithë vendin, përfshirë në kryeqytetin e vendit, Uashington, D.C.

Gjenerali Lengyel u tha gazetarëve se gati 1’300 ushtarakë të Gardës Kombëtare nga zona e Uashingtonit po ndihmonin në mes të trazirave civile, së bashku me ndihmën e disa anëtarëve të Gardës së shteteve Utah dhe New Jersey. Mbrëmjen e së martës u shtuan edhe 1’500 ushtarakë të tjerë të Gardës Kombëtare nga shtetet Indiana, Karolina e Jugut dhe Tenesi për të ndihmuar në zbatimin e ligjit në kryeqytetin amerikan.

“Misioni i trazirave civile është … qartë një nga misionet tona më të vështira dhe sinqerisht, ndoshta misioni që neve na pëlqen më pak,” tha Gjenerali Lengyel.

“Ndër operacione vendore që ne kryejmë rregullisht, qofshin në situata me uragane, përmbytje apo zjarre, unë mendoj se ky është ndoshta misioni më i rrezikshëm”, shtoi ai.

Departamenti i Mbrojtjes ka rritur nivelin e forcave mbrojtëse në Rajonin e Kryeqytetit, duke përfshirë territorin e Pentagonit, pas ditëve të protestave pasi George Floyd vdiq në Minneapolis ndërsa mbahej nga policia, tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman.

Rajoni i Kryeqytetit është e vetmja zonë ku ushtria ka dislokuar anëtarët e shërbimit me detyrë aktive, krahas ushtarëve të Gardës Kombëtare ose Forcave Ajrore, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes. Qindra ushtarakë mbërritën të hënën në bazat ushtarake jashtë qytetit dhe u vendosën në gjendje alarmi për të reaguar nëse do të ishte e nevojshme, thanë zyrtarët.

Sidoqoftë, në këtë kohë, asnjë ushtarak aktiv nuk është vendosur për të ndihmuar me trazirat civile aktuale në D.C ose kudo tjetër në vend.

Përveç ushtrisë, ekipe të specializuara të agjentëve federalë janë dërguar gjithashtu për të ndihmuar në kontrollin e protestave në Uashington D.C., i cili është një entitet federal që nuk është nën kontrollin e ndonjë shteti amerikan.

Departamenti i Drejtësisë të hënën vendosi personel në Uashington nga FBI-ja, Agjencia e anti-Drogës, Shërbimi i Marshallëve, Byroja e Burgjeve dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, sipas raporteve.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme vendosi gjithashtu oficerë nga Doganat dhe Mbrojtja e Kufijve, duke iu bashkuar Shërbimit Sekret dhe Policisë së Parqeve në përgjigje të protestave. /VoA

Të tjera