Lajme

Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës mbahet në dhjetor

Autori: Gazeta inFokus 17:48 | 28 October 2020

Ka përfunduar seanca ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë. Aty, Mustafa është deklaruar i pafajshëm ndërkohë ka mbajtur edhe një fjalim para gjykatësit. Në seancën e sotme, që është e treta për Salih Mustafën në Hagë, është vendosur që konferenca e radhës rreth ecurisë së kësaj çështje të mbahet në muajin dhjetor.

Salih Mustafa, ish-epror në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është deklaruar i pafajshëm në sallën e gjyqit në Hagë, për të gjitha pikat me të cilat akuzohet.

Para se të deklarohet i fajshëm apo i pafajshëm, Mustafa ka bërë një deklaratë para gjykatësit të procedurës paraprake, përmes se cilës kërkoi që të hetohen, siç tha ai, krimet serbe të kryera ndaj civilëve shqiptar në Kosovë.

-Advertisement-

Kjo ishte deklarata e Salih Mustafës para gjykatësit Nicolas Guillou:

Dhoma e Specializuara të Republikës së Kosovës, z. Gjykatës, zonja dhe zotërinj, pasi që jam qytetari i parë i Republikës së Kosovës i nxjerrë para kësaj gjykate me një aktakuzë të konfirmuar, më duhet t’i them ca fjalë, ose më mirë të them, dua të bëjë një deklaratë.

Unë Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish-pjesëtar i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së, dhe moralin e bashkëluftarëve të mi, duke qenë thellë i bindur se lufta për liri dhe pavarësi e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme. Sepse okupimi i gjatë dhe regjimi fashist me përmasa gjenocidiale i Slobodan Millosheviqit , dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi në Kroaci e Bosnjë, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë shumë zgjidhje; o të përfundonim në kampet e refugjatëve në Evropën Perëndimore, pa nderë pa atdhe, pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme, që kulmoi me luftën çlirimtare për liri, pavarësi e shtet demokratik.

I nderuari z. gjykatës, duke besuar në moralin tim, bindjet e mia dhe karakterin tim, që kam ndërtuar për 34 vite të jetës sime në shërbim të atdheut, rrugës drejtë lirisë, dhe në shërbim të institucioneve demokratike të shtetit tim, duke respektuar e nderuar shtetet mike që ndihmuan lirinë tonë, duke qenë thellë i bindur se UÇK kurrë nuk ka qenë organizatë terroriste ose grup e bandë e organizuar kriminale, por një ushtri çlirimtarë që lindi nga populli dhe që me shumë mund e sakrifica duke derdhur gjakun e djemve e vajzave më të mira të kombit është bërë gurë themel i lirisë që ne sot e gëzojmë.

Duke dashur të besoj se këto Dhoma të Specializuara nuk do të influencohen nga politika vendore apo ndërkombëtare, por as nga interesa për qërim hesapesh nga interesa apo grupe interesi, duke dëshiruar që këtë gjykatë, armiqtë e shtetit tim nuk do të mund ta përdorin kundër Republikës sime dhe qytetarëve të saj, duke i përbuzur ata individë apo grupe individësh, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë, që për interesa të ngushta politike, pasuri apo interesa të tjera të ulëta, po godasin themelet e lirisë sonë, luftën e drejtë të UÇK-së dhe po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët e lirisë përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ja u kanë turbulluar mendjet, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatit e shpirtin ia kanë shitur djallit. Për këtë kategori nuk po gjej fjalë adekuate për të shprehur, sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit në momentin e kryqëzimit kur thotë “Fali o zot se nuk po e dinë çfarë po bëjnë”.

I nderuar z.gjykatës, duke të falënderuar për mundësinë që më dhe për tu shprehur lirshëm, duke besuar në drejtësi dhe vlera demokratike, shfrytëzoj rastin që nga kjo gjykatore ti bëjë thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian, deputetëve të Kosovës, politikanëve vendimmarrës të shteteve evropiane, politikanëve të Kosovës, si dhe drejtësisë evropiane, që të zgjojnë ndërgjegjen njerëzore, demokratike e humanitare, që kësaj gjykate speciale selektive, që në analet e drejtësisë ndërkombëtare, është e panjohur, t’ia zgjerojë kompetencat, për të gjykuar dhe dhënë drejtësi, edhe për mbi 1300 fëmijë të vrarë e masakruar, 16 mijë viktima civile, për të dhunuarat, për kthimin dhe gjetjen e mbi 1600 bashkëqytetarëve ende të zhdukur, varrezat masive ende të pazbuluara, mbi 450 masakra të ndodhura anë e këndë Kosovës, dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare dhe ekonomitë shoqërore që i shkaktoi okupatori gjenocidial i Serbisë. Sepse jam i bindur se pajtimi nuk arrihet duke u’a mprehur shpatat xhelatëve, e viktimat duke i viktimizuar edhe për së vdekuri. Por as paqja e prosperiteti demokratik në Ballkan, nuk do të arrihet duke përkëdhelur trinomin autokratik nacional shovinist të përbërë nga Aleksandër Vuciq, Ivica Dacic e Aleksandër Vulin, që ishin akterë aktivë në regjimin e Millosheviqit, dhe tani si derivat i atij regjimi, janë shndërruar në çetnikë sallonesh, të cilët gjithashtu edhe në ditët e sotme me politikat e tyre fashiste po godasin lirinë dhe qytetarët e shtetit tim, bashkëkombësit e mijë në Kosovën Lindore e në Sanxhak po i bëjnë të vuajnë, duke u mohuar edhe të drejtat themelore njerëzore, e në anën tjetër po cenojnë të gjitha shtetet e Ballkanit që po ndërtojnë demokraci perëndimore. E në këtë mision, po përkrahen nga aleati i tyre djallëzor.

Duke shpresuar se kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi dhe vetëm drejtësi, edhe pse ende nuk e kam marrë aktakuzën e pacenzuruar, dhe të gjitha shkresat e lëndës, ju siguroj z.hjyaktës se në këtë betejë time ligjore me prokurorinë para kësaj gjykate, në çdo rast dhe çdo herë,do ta përdori të vërtetën, për të vërtetën dhe të drejtën. Sot jam i gatshëm të deklarohem për pafajësinë apo fajësinë time.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera