Lajme

“S’di a kanë vullnet t’na ndihmojnë”, miliona euro dëme nga vërshimet Skënderaj, Mitrovica e Podujeva

Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 07 February 2023

Para gati tri javësh disa komuna në Kosovë u përballën me vërshime të mëdha për shkak të reshjeve të shiut. Vendet më të prekura ishin Skënderaj, Mitrovica dhe Podujeva. Kryetarët e këtyre komunave kanë folur rreth raportit që do ta dorëzojnë në Qeveri dhe vlerës së dëmve të shkaktuara.

Skënderaj, Mitrovica e Podujeva ende nuk i kanë dërguar në Qeveri raportet me dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

I pari i Skënderajt, Fadil Nura, tha se sot është dita e tetë prej kur komisioni ka nisur të punojë në raport. Ai bëri të ditur se vlera e dëmeve të shkaktuara është rreth 15 milionë euro, mirëpo deri tash nuk i kanë llogaritur dëmet në bujqësi.

-Advertisement-

“Sot bëhen tetë ditë që komisioni ka punuar, sot raporti është në finalizim. Ne kemi një seancë të jashtëzakonshme të enjten, se ashtu parashihet me legjislacion, kërkon që raporti të miratohet në kuvendin komunal dhe procedohet në Qeveri dhe AME. Vlera e dëmeve të shkaktuara është rreth 15 milionë euro, na ka mbetur veç pjesa e dëmeve në bujqësi në mënyrë që ta kompletojmë plotësisht”, tha Nura për Express.

Ndërkaq, mbi 10 milionë euro dëme janë shkaktuar në komunën e Mitrovicës. Kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza, deklaroi se e kanë përfunduar raportin, mirëpo ka një dyshim.

“Ne raportin e kemi të përfunduar, janë të shënuara saktë se cilat shtëpi, biznese e toka bujqësore janë dëmtuar, veç nuk po di se a ka vullnet dhe gatishmëri që të na ndihmojë dikush. Vlera e dëmeve e kalon 10 milionshin, nuk kam lejuar që të ketë fryrje të dëmeve. Janë në informacion Agjencioni Qendror i Emergjencave, nëse është në pyetje raporti, atëherë ndihmesat është dashur të kryhen moti”, tha Hamza për Express.

Se sa është vlera totale e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Podujevë, kryetari Bulliqi thotë se nuk e di.

Ai në një prononcim për Express tha se janë duke u përpjekur që ta përfundojnë raportin të premten e më pas ta dërgojnë në Qeveri.

“Jemi duke punuar, po bëj përpjekje me mbyll të premten, nëse mundem, sepse të bujqësia kam telashe”, tha Bulliqi.

“Vetëm në infrastrukturë janë 2 milionë euro dëme”, tha ai.

Se ende nuk kanë shifra për dëmet nga vërshimet, dje e ka konfirmuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai tha se kur t’i marrin raportet “do të shohin se cilat janë mundësitë për t’i mbështetur” komunat e prekura nga vërshimet.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm, janë ministritë përkatëse, qoftë MAPL që mbikëqyrur pushtetin lokal, qoftë Ministria e Bujqësisë për dëmet në bujqësi. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe sapo të kemi edhe shifra dhe vlerësimet nga komisionet përkatëse, normalisht që si qeveri pastaj do të shohim se cilat janë mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna”, ka përfunduar Murati.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera