Lajme

SBASHK-u nuk heq dorë nga greva pa e dërguar projektligjin në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 17:37 | 10 April 2018

Drejtues të SBASHK-ut kanë kërcënuar se nëse brenda dy ditësh projektligji për punëtorët e viteve të 90-ta nuk dërgohet në Kuvend, atëherë atyre nuk u mbetet asgjë tjetër përveç që të hyjnë në grevë. Ndërkohë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i bën thirrje SBASHK-u të anulojë grevën e paralajmëruar për 13 prill, pasi kjo rrezikon edhe testin PISA 2018 që do të fillojë të mbahet nga nesër.

Gjatë ditës së sotme ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se vazhdimisht kanë komunikuar me SBASHK-un dhe kanë bërë përpjekje që projektligji të procedohet sa më shpejt në Kuvend.

“Do të bëj përpjekje edhe këtë javë që ta gjejmë një zgjidhje që të mos fillojë greva dhe shpresoj shumë që deri në ditën e enjte, ne do ta gjejmë një zgjidhje. Nesër është dita e parë e testit PISA dhe shpresoj që do të jetë një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të fillojë shumë mbarë testi PISA, kështu që nuk besoj se do të kishte një interes dikush ta merrte një barrë ose një përgjegjësi mbi veten që ta ndërprenë testin PISA në Kosovë”, ka thënë ai.

-Advertisement-

I pari i arsimit ka kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u që të mos futen në grevë në këtë kohë kur mbahet testi PISA, pasi sipas tij, është hera e parë që nxënësit e Kosovës e dinë rëndësinë e këtij testimi dhe se janë të vetëdijshëm se po hyjnë në një garë për të prezantuar Kosovën.

Po ashtu, ai ka thënë se ka informuar SBASHK-un se në kornizën e shpenzimeve afatmesme është planifikuar buxheti për ligjin për arsimin e viteve të 90-ta.

“Tani në takimin e fundit, ne kemi informuar SBASHK-un që edhe në pjesën e shpenzimeve afatmesme, pra në kornizën e shpenzimeve afatmesme është planifikuar, pra që të kemi një buxhet për ligjin për arsimin shqip të viteve 90-ta. Kemi kërkuar një mirëkuptim që Qeveria është duke punuar, por nuk është e thënë që Qeveria nuk është duke bërë asgjë për këtë ligj, është duke u munduar të gjejë masa sa më të shpejta që ligji të shkojë në Parlament”, tha ministri Bytyqi.

Përkundër asaj që greva do të rrezikojë mbajtjen e testit PISA, SBASHK-u nuk do të heqë dorë nga greva nëse projektligji për punëtorët e viteve të 90-ta nuk dërgohet në Kuvend.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, për KosovaPress ka thënë se qeverisë i duhet vetëm një orë punë që ta procedojnë ligjin për në Kuvend, e që sipas tij ata do të liroheshin nga kjo barrë.

“Nëse ligji në këto dy ditë nuk marrim dokument se ka shkuar në parlament, atëherë neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç që të zbatojmë vendimin që e ka marrë kongresi. Dhe, unë po them prapë insistimet e individëve apo të qeverisë që të mos ketë grevë nuk janë adresuar si duhet, sepse unë nuk kam autorizim që ta ndali grevën për të cilën kanë vendosur delegatët nga e tërë Kosova, nga arsimi para universitar dhe nga universiteti. Vetë kongresi i ka dhënë mjaft kohë dhe hapësirë Qeverisë Haradinaj. Opinioni e di se ne e mbajtëm grevën më 12 mars dhe nga ajo ditë po bëhen një muaj dhe qeveria ka pasur mjaft kohë, nëse e ka seriozisht e ka kohë ende që të mblidhet qeveria dhe të vendosë që projektligji për vitet e 90 të shkojë në Parlament”, tha ai.

Për SBASHK-un nuk është argument i mjaftueshëm për ta anuluar grevën futja në kornizën e shpenzimeve afatmesme të buxhetit për arsimin e viteve të 90-ta. Jashari përkujton se kanë fituar përvoja të këqija nga vitit 2013, kur iu ishte premtuar se ligji do të zbatohej.

“Jo, sepse neve kemi fituar përvoja të këqija nga viti 2013, na është thënë gjithmonë se ligji po kryhet, ligji është kryer duhet veç edhe kjo. Fakti që është vënë në kornizat afatshkurtra të buxhetit është vetëm një element që i jep mundësi qeverisë që ta vë në rend të ditës, sepse çdo barrierë për ligjin është hequr. Unë po çuditëm duke e parë situatën, duke e parë se situata nuk është e mirë duke e parë se me 11 prill vetëm po fillohet edhe me testin ndërkombëtar PISA, pastaj  më vonë i kemi edhe testet e klasave të 9-ta dhe të maturantëve. Unë po them se qeveria duhet të alarmohet dhe nganjëherë disi ne SBASHK-u po ndihemi edhe më keq kur qeveria për gjëra shumë më të vogla është në gjendje të thirr mbledhje të jashtëzakonshme dhe Parlamenti të mbaj mbledhje deri në gjysmë nate, ndërsa unë po them çështje madhore në këtë moment është çështja e arsimit, sepse po u hy në grevë më 13 prill, atëherë nuk i dihet fundi i grevës”, tha Jashari.

Ndryshe, Sindikata e Prindërve të Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë koment për këtë, por ata kanë bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të mbajnë një takim me kryesuesit e SBASHK-ut.

SBASHK-u më 12 mars ka mbajtur një grevë një ditore, kur edhe e kanë paralajmëruar grevën e përgjithshme të 13 prillit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera