Lajme

SBASHK paralajmëron grevë

Autori: Gazeta inFokus 09:57 | 07 November 2018

Mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë po presin që deri në fund të këtij muaji, institucionet përkatëse të përmbushin kërkesat për rritjen e koeficientit të pagave të tyre si dhe të miratojnë ligjin, në bazë të të cilit do të shpaguhej puna e mësimdhënësve që kanë punuar në vitet e nëntëdhjeta.

Në të kundërtën do të ndërmarrin veprime sindikale.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ku ka thënë se edhe ndonjë rritje e ardhshme e pagave nuk është se do të ndikonte në përmirësimin e pozicionit të mësimdhënësit.

-Advertisement-

Ai pret që Qeveria dhe Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të veprojnë konform kërkesave të SBASHK-ut.

“Ne i kemi sytë në Ligjin e Pagave dhe po them, ne do të bëjmë çmos edhe në takimet me ministrin tonë, por edhe në takimin me kryeministrin që çështjet të rregullohen me dialog sepse mësimdhënësit duhet ta kenë vendin meritor. S’po kërkojmë as më pak, as më shumë. Dhe, nëse kjo nuk bëhet, atëherë ne si reaksion i natyrshëm do të shkojmë me veprime sindikale, që unë frikësohem do të jetë një grevë e përgjithshme. Madje edhe çerdhet kanë kërkuar që të na bashkohen. Do të kemi një paralizë totale të arsimit, sepse edhe të tjerët, çerdhet bashkë me universitetet do të jenë në grevë. Gjë që SBASHK-u nuk e dëshiron fare”, tha ai.

Megjithatë, Jasharaj ka bërë të ditur se kjo nuk do të ndodhë gjatë këtij muaji, pasi që janë të interesuar që kërkesat e tyre të përmbushen përmes dialogut.

“Është edhe praktikë e sindikatave tona dhe ndërkombëtare, që kur është diçka në proces të pritet dhe të tjerët ta kuptojnë se ne megjithatë bëmë të gjitha mundësitë dhe angazhimet tona. Dhe, dëshirojmë që edhe opinioni të kuptojë se ne nuk kemi rrugëdalje tjetër sepse në grevë shkohet dhe ligji i grevave thotë ‘në grevë shkohet kur nuk jep asnjë rezultat dialogu’”, theksoi kryetari i SBASHK-ut.

Jashara ka folur edhe për projektligjin për pagat duke thënë se është degradues për sistemin arsimor.

“Ne kemi luftuar me mundësitë tona që ky projektligj të jetë i mirë për të gjithë, e veçmas për sektorin e arsimit, mirëpo doli e kundërta. Edhe pas vërejtjeve tona, ky projektligj mbetet si version që është tani, degradues për sistemin arsimor nga çerdhet në universitet”, u shpreh Jasharaj.

I pyetur nëse SBASHK ka anashkaluar rëndësinë që ka ngritja e cilësisë së arsimit në vend duke u marrë më shumë me kërkesat për rritjen e pagave, Jasharaj thotë se këto të dyja janë të lidhura ngushtë mes vete.

E për t‘u ngritur cilësia e arsimit në Kosovë, ai shton se shteti duhet të ndajë mjete për t’i pajisur shkollat me pajisje bashkëkohore.

“Nesër po u pajtuam me këtë ligj, drejtorët dhe të tjerët nuk do të kenë mundësi t’iu thonë mësimdhënësve ‘shkoni në orë’ sepse ata do të arsyetohen, do të thonë ‘ja ku jemi, në çfarë pozite jemi’. Po u vu sistemi arsimor në nivel të duhur, atëherë kemi, edhe SBASHK-u, edhe të tjerët, të kërkojmë angazhim më të madh, kuptohet, pasi që shteti të përmirësojë kushtet e punës”, thotë Jasharaj.

E se prioritet i SBASHK-ut është edhe ngritja e cilësisë së arsimit, sipas kryetarit të kësaj sindikate, tregon intensiteti i mësimdhënësve për ta kryer punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme përkundër teksteve të vjetra shkollore, të cilat nuk korrespondojnë me kurrikulën e re.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera