Lajme

Sassoli: BE të mbajë premtimin për Ballkanin Perëndimor

Autori: Gazeta inFokus 08:38 | 07 June 2021

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sasoli, bën thirrje për afrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për mediat gjermane ai thotë se zgjerimi i Bashkimit Europian mund të sjellë përfitime të mëdha si për rajonin ashtu edhe për Evropën në aspektin e sigurisë dhe paqes. Ai nënvizon që reformat e kërkuara duhet të përparojnë, por Brukseli duhet të mbajë premtimet e bëra.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si për rajonin ashtu edhe për Evropën. Ndihmon në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të begatë dhe paqësor. Reformat duhet të përfundojnë ende në secilin prej këtyre vendeve, por Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të mbajë premtimet e tij dhe të njohë progresin”.

-Advertisement-

Në të njëjtën linjë ishte një ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama që në një intervistë për gazetën gjermane Bild kërkoi nga Bashkimi Europian të njohë progresin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Rama tha se Këshilli Europian e miratoi çeljen e negociatave që në 2018-ë, por për shkak të problemeve të brendshme të disa vendeve anëtare procesi u ndal.

Bashkimi Europian tashmë po kryen bisedime pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë. Maqedonia e Veriut është e bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë. Bosnje-Hercegovina dhe Kosova deri më tani janë konsideruar kandidatë të mundshëm për negociata.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera