Sport

Sarri: Ronaldo fenomenal, ja çfarë na duhet për Champions

Autori: Gazeta inFokus 10:44 | 20 January 2020

Juventusi fitoi 2-1 ndaj Parmës falë një dopiete të Cristiano Ronaldos dhe nisi shkëputjen në krye, duke shkuar +4 pikë para Interit, ndërsa pas ndeshjes trajneri Maurizio Sarri i thuri elozhe yllit portugez.

“Ishte një ndeshje e komplikuar, që nuk e mbyllëm dot kur duhej dhe vuajtëm shumë në fund. Megjithatë kemi në skuadër Ronaldon, një lojtar që di të jetë vendimtar në kohën e duhur dhe arritëm të marrim 3 pikë me mjaft vlera. Ka ende vend për përmirësime, por duhet të pranoj se skuadra funksionon mirë në tërësi”, deklaroi Sarri.

Inter dhe Lazio janë skuadrat që do të provojnë të shkurorëzojnë bardhezinjtë, ndërsa vetë Sarri duket se u trembet më shumë kryeqytetasve, teksa analizon edhe dy disfatat ndaj tyre në muajin dhjetor.

-Advertisement-

“Unë nuk kam frikë në futboll, pasi është vetëm një sport, ndaj trembem vetëm për gjëra më të mëdha në jetë. Lazio po kalon një formë të jashtëzakonshme, por shpresoj që të zgjasë pak. Ndaj tyre kemi humbur dy herë në dhjetor, duke bërë dy ndeshje të dobëta, por në tërësi jemi mirë dhe po funksionojmë ashtu si unë dua”, tha trajneri bardhezi.

Me titullin kampion që e fiton prej vitesh, synimi i skuadrës torineze për këtë sezon është triumfi në Ligën e Kampionëve, ndërsa vetë Sarri pranon se ky është një objektiv i arritshëm, por ekipi duhet të përmirësohet ende shumë.

“Duhet të përmirësohemi ende shumë në intensitetin mental dhe menaxhimin e disa situatave të caktuara. Për shembull, mua personalisht nuk më pëlqen ai qarkullim i topit në gjysmëfushën tonë. Më mirë të marrim një gol në kundërsulm, por duke provuar të zgjidhim ndeshjen”, tha Sarri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera