Lajme

Samiti vazhdon edhe sot, ky është konkluzioni i vetëm për Kosovën nga dita e djeshme

Autori: Gazeta inFokus 07:46 | 24 June 2022

Sot në Bruksel do të vazhdojë dita e dytë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas agjendës, nga ora 9:00 pritet që pjesëmarrësit të arrijnë, derisa një orë më pa do të fillojë një sesion pune.

Më pas është e planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidenti Michel, Presidentja Von der Leyen dhe Presidenti Macron.

-Advertisement-

Udhëheqësit do të zhvillojnë një diskutim strategjik se si të përforcojnë marrëdhëniet e BE-së me partnerët e tyre, duke përfshirë mënyrën se si të nxitet dialogu politik dhe të forcohet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit europian.

Më vonë temë diskutimi do të jetë Ukraina. Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë zhvillimet e fundit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ndikimin e saj në krizën globale të sigurisë ushqimore, si dhe mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare që planifikohet t’i jepet Ukrainës.

Rezultati i ditës së parë të samitit të djeshëm shkaktoi sërish zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor meqë nuk u dha asgjë konkrete për liberalizimin e vizave për Kosovën apo hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit Europian, Barend Leyts, ka treguar se cilat janë përfundimet për Ballkanin Perëndimor të nxjerra nga Samiti i BE-së, ku për Kosovën përmendet vetëm përparimi në dialog ndërsa nuk përmendet liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Express.

Në pikat e nxjerra në përfundime, për Kosovën flitet vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe përparimin në dialog. Në këto pika nuk flitet për heqjen e vizave.

“Këshilli Europian riafirmon urgjencën e të bërit përparim të qartë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha bilaterale dhe regjionale, veçanërisht dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në pikën 19.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera