Lajme

Samiti për Demokracinë, sinjali i Joe Biden për shtetet autoritare dhe mosftesa e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 18:48 | 09 November 2021

Presidenti Biden do të organizojë edhe Samitin për Demokraci, që do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor të këtij viti. SHBA-ja nuk i ka ftuar disa shtete që konsiderohen me prirje autoritare siç janë Serbia, Bosnja, Turqia e Hungaria që të marrin pjesë në samit. Ftesa nuk i ka shkuar as Kosovës, e kjo u pa si këmbanë alarmi për shtetin që ShBA-në e ka sponsorin kryesor të shtetësisë, shkruan Gazeta Express.

Presidenti amerikan, Joe Biden, kishte deklaruar se SHBA do të ktheheshin në udhëheqjen globale për promovimin e demokracisë dhe për të kundërshtuar Kinën e Rusinë si mbështetëse të autoritarizmit.

Tash Biden organizon Samitin për Demokracinë, që në Kosovë u kthye në kryetemë, pasi nuk u ftua nga aleatja kryesore e saj.

Çfarë është Samiti për Demokracinë që organizohet nga Presidenti Joe Biden

Administrata Biden – Harris përmes këtij samiti ka për qëllim që të dëshmojë se demokracia mund të funksionojë në shoqëri dhe të përmirësojë jetët e njerëzve, dhe, njëkohësisht, për të ju kundërvënë lëvizjeve autoritare nëpër shtete të ndryshme të botës.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar në faqen zyrtare të dhënat për Samitin për Demokracinë, përfshirë sfidat e demokracive dhe hapat e ardhshëm pas samitit.

Aty thuhet se samiti poashtu ka për qëllim që të shfaq kundërshtitë ndaj liderëve autoritarë të cilët po e minojnë demokracinë – duke shënjestruar gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ndërhyrjen në zgjedhje duke pretenduar se modeli i tyre është autoritar është më i mirë për njerëzit.

Më 9-10 dhjetor 2021, Presidenti Biden do të organizoj të parin nga dy Samitet për Demokracinë, i cili do të bashkojë liderët nga qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat për të përcaktuar një axhendë afirmative për rinovimin demokratik dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot përmes veprimit kolektiv.

“Për SHBA-në, samiti do të ofrojë një mundësi për të dëgjuar, mësuar dhe angazhuar me një gamë të ndryshme akterësh, mbështetja dhe angazhimi i të cilëve është kritik për rinovimin demokratik global. Ai gjithashtu do të shfaqë një nga pikat e forta unike të demokracisë: aftësinë për të pranuar dobësitë dhe papërsosmëritë e saj dhe për t’u përballur me to hapur dhe transparente, në mënyrë që ne, siç e thotë Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, “të formojmë një bashkim më të përsosur”, thuhet në njoftimin kryesor për samitin të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Mosftesa e Kosovës për pjesëmarrje dhe reagimet

Liderë opozitarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë reaguar pas mosftesës së Kosovës në Samitin e Demokracisë.

Aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, ka thënë se ky është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.

“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënive dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Sipas ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeministri Albin Kurti “me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-në si aleati ynë strategjik”.

Kryetari i AAK-së thotë se marrëdhëniet në mes të Ksovës dhe SHBA’së u degraduan në qeverisjen e Albin Kurtit. Në këtë mënyrë, sipas tij, Kurti duhet “sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se “presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, jo që s’u ftuan në Uashington, por nuk iu dha mundësia të shihen as në ekranet e llaptopëve”.

Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të dhe u kërkoi Osmanit e Kurtit t’u tregojnë qytetarëve se pse Kosova është lënë jashtë këtij Samiti.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, beson se pasi vendi ynë nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, tash kryeministri Albin Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.

Këtë deklaratë, Tahiri e bëri përmes një postimi në Facebook.

“Shtepia e Bardhe nuk e ftoi Kosoven ne Samitin e Demokracise te organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Mbas tash besoj se Kurti do t’i dalloj me mire ngjyrat!”.

Edhe analisti kosovar dhe njohësi i zhvillimeve që ndërlidhen me diplomaci dhe politikë të jashtme, Ilir Ibrahimi, ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ftuar Kosovën në Samitin e Demokracisë 2021.

Ibrahimi thotë se deri tani janë dëgjuar mospajtime te vogla, por thotë se mosftesa tashmë është një ‘bërtimë’.

“Deri tani kemi dëgjuar apo parë mospajtime më zë të ulët nga administrata Biden ndaj qasjes së Qeverisë Kosovës. Lënia anash e Kosovës, si një nga 4-5 vendet Evropiane që nuk ftohen në Samitin e Demokracisë 2021, – ËSHTË BËRTIMË”, ka shkruar Ibrahimi.

Pas gjithë këtyre reagimeve, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dal me një sqarim.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë në një sqarim të dërguar në adresën e Gazetës Express ka deklaruar se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë. Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Tutje, ky zëdhënës ka thënë se Presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.

“Siç theksoi Presidenti Biden në adresimin e tij me video në gusht, Kosova ka bërë “progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 vjetëve” duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, ka thënë ai.

Poashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.

“Si partnere të palëkundura të Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për avancimin dhe fuqizimin e demokracisë, parandalimin e regresit demokratik, promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë i plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, ka thënë ai.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Të tjera