Opinione

Samiti i sotshëm i BE-së shpresë për Ballkanin Perëndimor

Autori: Agron HOTI 11:10 | 06 May 2020

Shkruan: Agron HOTI

“Sot ne riafirmojmë angazhimin tonë të ndërsjellë për perspektivën evropiane për tërë rajonin. Siç e pata thënë në vizitën time të fundit, Bashkimi Evropian është dhe mbetet partneri më i besueshëm për tërë Ballkanin Perëndimor. Dhe në pika konkrete ne diskutuam se si të përmirësojmë lidhjet me dhe mes rajonit të Ballkanit Perëndimor.” Shkëputje e fjalimit të Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk pas përfundimit të Samitit të Sofjes më 18 maj 2018 mes BE-së dhe Shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në linjë me përkushtimin e BE-së në Samitin e Sofjes në vitin 2018, ashtu si në të kaluarën, edhe sot Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë gjallë perspektivën evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kështu pra në mars të këtij viti Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian përpos që miratuan propozimin e Komisionit Evropian për ta përforcuar metodologjinë e procesit të anëtarësimit në BE, ato për më tepër vendosën dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

-Advertisement-

Më 29 prill 2020 Komisioni Evropian i kishte propozuar Parlamentit Evropian, Këshillit (të Ministrave), Komitetit Evropian Ekonomik e Social dhe Komitetit të Regjioneve që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mbështetej financiarisht për ta ri-marrë veten pas goditjes së rëndë ekonomike që po i shkaktonte virusi COWID 19. Ky angazhim i BE-së përbën një hap tejet të rëndësishëm në vazhdën e angazhimeve për të promovuar stabilitet dhe perspektivë evropiane për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor drejt interesave strategjike të përbashkëta me BE-në.

Për të materializuar këta hapa institucional të BE-së ishte paraparë që në kuadër të Presidencës aktuale Kroate të BE-së më 6 maj në kryeqyteti kroat të organizohej Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor. Por, për shkak të situatës aktuale pandemisë së shkaktuar nga virusi COWID 19, Samiti në Zagreb nuk do të mund të mbahet fizikisht, prandaj është vendosur që kjo ngjarje e rëndësishme për të ardhmen evropiane të rajonit tonë të mbahet përmes videkonferencës.

Në këtë Samit do të marrin pjesë përpos krerëve të Shteteve Anëtare të BE-së edhe Kryetarët ose Kryeministrat e 6 Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana e institucioneve të BE-së do të marrin pjesë: Charles Michel, President i Këshillit Evropian dhe drejtues i Samitit, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian. Ndërkohë, Presidenca Kroate do të përfaqësohet nga Andrej Plenković, Kryeministër i Kroacisë, i cili drejton Presidencën e Këshillit (të Ministrave), Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, David Sassoli, President i Parlamentit Evropian. Në Samit do të jenë edhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Botërore (BB), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (KBR).

Si rëndom pas samitit do të ketë konferencë për media ku do të flasin: Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri kroat Andrej Plenković. Kosova në këtë Samit do të jetë e përfaqësuar nga Kryetari i vendit. Qëllimi i këtij samiti është që të adresohet kriza pandemisë globale (COWID 19), gjendja pas-pandemike dhe mënyrat se si të mbështetet rajoni i Ballkanit Perëndimor në aspektin socio-ekonomik.

Duke parë pasojat e shkaktuara nga virusi COWID 19, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që t’i përgjigjet gjendjes së vështirë përmes qasjes së një ‘Ekipi Evropian’ duke kombinuar mjetet financiare të BE-së, Shteteve Anëtare të saj dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare, në veçanti ato të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Vlen të theksohet që rajoni i Ballkanit Perëndimor është duke u mbëshetur bilateralisht edhe nga Shtete Anëtare të BE-së përmes formave të ndryshme kryesisht me mjete financiare dhe furnizime. Kosova vazhdon të merr mbështetje nga Shtete të ndryshme që janë dhe nuk janë anëtare të BE-së.

Në këtë samit BE do të diskutojë, ndër të tjera, për dy pako kryesore financiare të rëndësishme për të sotmen dhe të nesërmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këto pako janë: 1) Paketa financiare që lidhet me gjendjen gjatë dhe pas pandemisë në vlerë prej mbi 3.3 miliardë EUR; dhe 2) Paketa financiare e IPA III 2021-2027 në vlerë prej 14.7 miliardë EUR.

  • Paketa e parë dhe financiare e BE-së kap shumën prej mbi 3.3 miliardë EUR do të ketë këto orientime financiare:

 

  • 38 milionë EUR rialokime të menjëhershme nga IPA për Sektorin e Shëndetësisë, duke sjellur pajisje, maska e ventilatorë për të shpëtuar jetë të njerëzve;
  • 389 milionë EUR për ringjallje socio-ekonomike;
  • 455 milion EUR për për paketën e riaktivizimit ekonomik në bashkëpunim me Institutucionet Financiare Ndërkombëtare;
  • 750 milion EUR për asistencë makro-fiskale;
  • 7 miliardë asistencë nga Banka Evropiane e Investimeve.

BE në këtë samit do të ofrojë edhe ndihmë të menjëhershme për grupet e cenueshme të refugjatëve dhe migrantëve në vlerë prej 4.5 milionë EUR dhe 8 milion EUR për nevojat e kampeve të migrantëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për t’i futur në veprim këto mjete Komisioni Evropian gjatë këtij viti, pra pas pandemisë, do të nxjerrë një Plan Ekonomik dhe Investimi për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të nxitur rritje ekonomike dhe për të mbështetur reformat e nevojshme drejt Integrimit Evropian.

  • Paketa e dytë financiare është e përfshirë në kuadër të fazës së tretë të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) për periudhën 2021-2027. Shuma e propozuar nga Komisioni Evropian është 14.7 miliardë EUR, ku një pjesë e konsiderueshme pritet të ndahet për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Edhe kjo shumë do të jepet në forma të granteve (mjete financiare falas) të cilat pritet të dyfishohen përmes Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor dhe për më tepër do të ngritet garancia financiare për të mbështetur investime publike e private në rajon përmes instrumentit të garantimit që është në kuadër të Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor.

Fushat që do të mbështeten gjatë periudhës 2021-2027 janë: i) tranzicioni i gjelbërt, ii) transformimi dixhital, iii) konkurueshmëria, iv) arsimi e shëndetësia, v) mbrojtja sociale dhe përfshirja, vi) transporti dhe energjia, etj. Gjithsesi që fokusi i BE-së do të jetë në të mbështeturit e reformave institucionale si ato në fushën e sundimit të ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe administratën publike, fusha këto ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vështirësi në ecje përpara.

Ajo që është shumë e rëndësishme për Kosovën në tërë këto diskutime të niveleve më të larta të BE-së, është se Kosova do të merr pjesë si e barabartë mes të barabartëve në këtë Samit. Edhe pakoja financiare për Kosovën do të jetë po ashtu e barabartë mes të barabartëve. U ngelet institucioneve të Kosovës që të bëjnë përgatitjet e nevojshme për të absorbuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mbështetje të BE-së.

Duke ditur që në vitin 2021 Kosova bashkë me Bashkimin Evropian janë të obliguara ta ri-shikojnë Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA) për pesë vitet e ardhshme, atëherë do të ishte më se qenësore që kjo pako financiare dhe rishkimi i MSA-së të kombinoheshin në mënyrën më të mirë të mundshme duke kontribuar kështu në përshpejtimin cilësor të rrugës së Kosovës drejt BE-së.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera