Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, Kurti do ta adresojë aktin e agresionit serb
Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 08 October 2023
Për herë të parë samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, më 16 tetor do të jetë nikoqir i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve kyç të BE-së, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Nismës që synon bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në përafrimin me Bashkimin Evropian, do t’i shtohet edhe një marrëveshje e re. Udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës, pritet të nënshkruajnë ujdinë për njohjen e ndërsjellët edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë të rregulluara për mjekët, dentistët dhe arkitektët. Po ashtu, do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën.
Prezentë në samitin e radhës të Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili krahas nevojës për bashkëpunim rajonal, do të përmend në adresimin e tij, edhe aktin e agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator, thotë për KosovaPress, këshilltari i tij, Jeton Zulfaj.
“Me 16 tetor do të kemi samitin e liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit, ku do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Aty pritet të kemi edhe një marrëveshje të re për profesione, ku do të kemi edhe katër profesione të reja që do të njihen nga të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këtu janë kirurgët, mamitë…veterinarët, të cilat do t’iu shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluar për mjekët, dentistët dhe arkitektët. Me këtë po arrijmë të zgjerojmë numrin e profesioneve që do të njihen në rajon…Besoj se do të kemi edhe disa deklarata atë përbashkëta të cilat do të lehtësojnë tregtinë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe një partneritet për klimën”, bënë të ditur Zulfaj.
Zulfaj e sheh të domosdoshme diskutimin për sulmin terrorist të Serbisë në Kosovë në mesin e liderëve rajonal dhe të BE-së, ani pse fokusi i samitit të Procesit të Berlinit do të jetë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik.
“Samiti në kuptimin e atyre që do të arrihen nuk ka çështje të sigurisë, por ajo do të jetë temë diskutimi në këtë samit ose më mirë të themi në çështjen e adresimit që do të bëjnë liderët e rajonit. Sigurisht që duhet fokus më i madh, mirëpo ne besojmë që kjo vjen krahas një ndryshimi të qasjes ndaj Serbisë. Natyrisht prezenca e shtuar e KFOR-it në kufij me Serbinë është e mirëseardhur pasi andej po vjen agresioni ndaj Kosovës dhe andej u përgatit sulmi terrorist ndaj Kosovës. Kurse Policia e Kosovës në mënyrë profesionale po kryen të gjitha detyrat për zbatimin e ligjit duhet të mbështetët dhe fuqizohet”, shton ai.
Në anën tjetër më skeptik për rezultate konkrete të samitit të Procesit të Berlinit janë në shoqërinë civile.
Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike(GLPS), Arbër Fetahu thotë për KosovaPress, se akti i agresionit serb në Kosovë e ka cenuar në këtë fazë Procesin e Berlinit, pasi rajoni ka hyrë në një situatë të palakueshme dhe me shumë pikëpyetje.
Megjithatë, ai thotë se është e nevojshme që Procesi i Berlinit të ketë një dinamikë më të shtuar në muajt në vijimë.
“Sulmi terrorist në veri e ka cenuar në këtë fazë edhe Procesin e Berlinit, pasi janë të involvuar shumë palë. E kemi Shqipërinë që është e është përfshirë në mënyrë indirekte në diskutime mbi sulmin në veri me disa kërkesa për Serbinë. Po ashtu kemi Serbinë me një pozicion barikadues dhe Kosova që është pala më e dëmtuar nga ngjarja e fundit. Megjithatë mendoj se Procesi i Berlinit duhet të ketë një dinamikë më të shtuar muajve në vijim, porsa të definohet situata edhe më qartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kemi një shtim të dinamikës sa i përket zbatimit të marrëveshjeve dhe synimit për treg të përbashkët rajonal. Por nuk pres që në këtë samit të arrihet një dakordim i plotë që ky treg rajonal të bëhet funksional. Pasi kemi hyrë në një situatë të palakueshme dhe me shumë pikëpyetje”, deklaron Fetahu.
Për përgatitjen e samitit të 16 tetorit, të premten është mbajtur edhe ministeriali i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë.
Në samitin e vitit të kaluar të Procesit të Berlinit janë arritur tri marrëveshje ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo për lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve rajonit ballkanik, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Kosova ka ratifikuar në Kuvend këto tri marrëveshje, po ashtu edhe vendet e tjera rajonale përveç Bosnjë Hercegovinës, e cila nuk ka ratifikuar marrëveshjen për liri të lëvizjes me Kosovën.
Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike e iniciuar nga ish Kancelarja gjermane Angela Merkel në gusht 2014, për t’i dhënë impulse të reja dhe përshpejtuar ritmet e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...