Lajme

Samiti i Brdos: Liderët e BE rikonfirmojnë unitetin

Autori: Gazeta inFokus 08:24 | 06 October 2021

Në momentet kur Bashkimi Europian po përballet me një sërë dilemash e sfidash, liderët më të pushtetshëm të tij rikonfirmuan unitetin e Unionit. BE thekson rëndësinë e bashkëpunimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në ditën e parë të samitit të BE-së në Brdo afër Kranjës në Slloveni u dhanë mesazhe të forta nga krerët më të lartë.

“Ne duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin para se të forcojmë unitetin tonë, pasi qasja jonë e përbashkët është ADN-ja e Bashkimit Europian” – deklaroi për gazetarët presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

-Advertisement-

Ai vuri theksin gjithashtu tek rëndësia e bashkëpunimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Duke qenë në të njëjtën linjë me partnerët dhe aleatët tanë, një çështje shumë e rëndësishme që do të diskutojmë është një deklaratë e përbashkët mes nesh dhe NATO-s. Do të punojmë rreth saj dhe gjatë darkës informale do të shkëmbejmë këndvështrimet tona” – tha Michel para darkës informale mes krerëve të BE-së.

Marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor ishin interesi i gazetarëve në pyetjen drejtuar liderit francez Emmanuel Macron. Ai u pyet nëse presidenti i SHBA-së Biden do ta kuptojë tashmë rëndësinë e Francës si aleat.

“Do ta shohim, por unë u besoj vetëm fakteve. Shpresoj dhe besoj se është e dukshme dhe më frytdhënëse për të dyja vendet që të diskutojmë bashkarisht gjatë G20 dhe besoj se ky është rasti i duhur për të parë se si mund të riangazhohemi. Kjo nuk është çështje fjalësh dhe perceptimesh por ka të bëjë me faktin se çfarë mund të bëjmë bashkë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel iu bashkua samitit të Brdo-s, duke u shfaqur fillimisht vetëm në momentet e fotografisë së përbashkët protokollare.

Në ditën e dytë të takimit (06.10) në qendër të bisedimeve pritet të jetë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Samiti i Brdos do të ketë në fokus të ardhmen e rajonit, por pritet të diskutohen një sërë temash me interes ndërkombëtar si: marrëdhënia me Kinën, situata e pasigurt në Afganistan, marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor dhe rritja e çmimeve të gazit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera