Lajme

Salihaj: Lutfi Haziri është vegël e Hashim Thaçit

Autori: Gazeta inFokus 15:49 | 12 September 2018

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, e ka akuzuar bashkëpartiakun e tij, Lufti Haziri, për përkrahje të presidentit Thaçi në çështjen e korrigjimit të kufijve. Salihaj e ka quajtur Hazirin vegël të Thaçit brenda LDK-së.

Përmes rrjetit social Facebook, Salihaj ka shkruar se Thaçit po i shihet fytyra e tradhtisë, si një vegël e thjeshtë e Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës, siç e ka quajtur ai.

Salihaj është shprehur se Thaçi nuk ka mbështetje te shqiptarët, por po mundohet ta gjejë atë te maqedonasit dhe malazezët.

-Advertisement-

“Hashim Thaçit iu çorr maska dhe po i shihet qartë fytyra e tij e tradhëtisë, fytyra e nje vegle të thjeshtë të Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. I gjendur para një situate kur tashmë të gjithë e panë fytyrën e tij të vërtetë dhe i mbetur pa asnjë përkrahje te shqiptarët ,ai po vrapon të gjejë mirëkuptim te maqedonët dhe malazezët”, ka shkruar Salihaj.

Ai, po ashtu, ka thënë se edhe figura brenda LDK-së po e përkrahin Thaçin, për ta shpëtuar lëkurën e tij, duke i quajtur më militantë se vetë ata të PDK-së. E me këtë Salihaj i referohet Lutfi Hazirit, i cili së fundmi ka dhënë deklarata për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke thënë se kjo është një mundësi ideale për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore të Serbisë.

“Në ndërkohë, tashmë u paraqitën me prononcime edhe veglat e Thaçit brenda LDK-së, të cilët, në momentet e fundit, po mundohen ta shpëtojnë lëkurën e tij. Madje, ata po dalin edhe më militantë se vetë militantët e PDK-së, sepse tashmë, edhe brenda partisë së tij, Thaçi e ka humbur përkrahjen”, ka shkruar Salihaj.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera