Lajme

Safet Kabashaj tregon arsyet e dorëheqjes nga Bordi i RTK-së

Autori: Gazeta inFokus 23:10 | 18 August 2024

Safet Kabashaj njofton se ka dhënë dorëheqje nga Bordi i RTK-së. Ai shprehet se kishte vullnet për të rikonsoliduar një RTK kredibile e të pavarur, por kjo sipas tij nuk ndodhi.

Kabashaj ndër të tjera deklaron, “ju kërkoj ndjesë qindra kolegëve të vyer në RTK që po largohem pa arritur të ndihmojë në konsolidimin e shtëpisë sonë të përbashkët në kuptimin e financimit të qëndrueshëm, pronës së përhershme, kushteve meritore të punës, e që për ta përkthehet në ndjenjën e krenarisë së të qenurit pjesë e këtij institucioni”.

Postimi i tij i plotë:

-Advertisement-

Te nderuar miq,

dje e kam paralajmeruar, ndërsa sot e kam finalizuar dorëheqjen nga Bordi i RTK-së. Arsyet e largimit i kam paraqitur ne nje email dërguar kolegëve, të cilën po e publikoj autentike më poshtë.

“𝑨𝒔𝒏𝒋𝒆̈ 𝒆𝒓𝒆̈ 𝒏𝒖𝒌 𝒆 𝒏𝒅𝒊𝒉𝒎𝒐𝒏 𝒏𝒋𝒆̈ 𝒂𝒏𝒊𝒋𝒆 𝒒𝒆̈ 𝒏𝒖𝒌 𝒆 𝒌𝒂 𝒕𝒆̈ 𝒒𝒂𝒓𝒕𝒆̈ 𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒊𝒎𝒊𝒏” 𝑺𝒆𝒏𝒆𝒄𝒂

E nderuara Nënkryetare Mehmeti,

Të nderuar kolegë anëtarë,

Siç e dini, në fund të takimit të pasuksesshëm dje, ju paralajmërova se do të largohem nga pozita e anëtarit të Bordit. Andaj, përmes këtij emaili, në respektim të dispozitave ligjore, paraqes dorëheqjen time nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së.

Isha i bindur që suksesi i atij takimi do të na mundësonte të krijonim mekanizmat për konsolidim të përkohshëm të nivelit të lartë menaxherial, adresim të menjëhershëm e meritor të shkeljes lidhur me artikullin boshnjak. E pashë edhe si rast të mirë për të filluar me konsolidimin e kredibilitetit të dëmtuar të Bordit në muajt e fundit.

Dështimi i djeshëm ishte goditje për të gjitha këto dhe tani është koha për t’ia kthyer Kuvendit mandatin që ma dha në dhjetor 2021. Pata shpresuar në vullnetin e gjerë politik dhe në pjekurinë, vendosmërinë e vizionin tonë në Bord për të rikonsoliduar një RTK kredibile e të pavarur. Koha tregoi se nuk doli as njëra e as tjetra. Si pasojë, unë po largohem për herë të dytë nga RTK-ja. Para kohe, por ndoshta pak vonë.

Kam pritur që standardi i ndërtuar në prill 2022, kur për një lajm të 1 prillit U.D. i Kryeredaktorit të atëhershëm pat dhënë dorëheqje, të aplikohej edhe tani. Fatkeqësisht nuk ndodhi edhe pas argumentimeve të shumta, përfshirë qëndrimet e paraqitura në Bord, e sidomos raporti i komisionit Ad-Hoc që konstatoi se shkelja e ligjit dhe standardeve profesionale të RTK-së kishte ndodhur.

Mirëpo, e gjithë kjo është pasojë e një epilogu logjik. Komoditeti i kësaj papërgjegjshmërie poshtë është ndërtuar me fajin tonë lartë. Pothuajse të gjitha energjitë e Bordit këtë vit kanë qenë rreth rrugëtimit ose jo tutje me ish-Drejtorin e Përgjithshëm. Sa e sa argumentime kam bërë që të mos i hyjmë asaj rruge pa krye sepse do të na qojë në kriza, do të kritikohemi, etiketohemi si shërbyes të pushtetit, do ta humbim mbështetjen nga partnerë ndërkombëtarë, i bëjmë dëm RTK-së dhe vendit. Si refren e përsërisja një frazë që “më shumë bëjmë dëm sesa dobi” dhe se “do të na përfundojë mandati duke i sanuar dëmet”. Në këtë të fundit dola i pasaktë. Na përfundoi mandati (disave) as pa i sanuar dëmet. Veprimet tona tani do të jenë, për fat të keq, në thelb të të gjitha raportimeve negative ndërkombëtare për lirinë e medias në Kosovë.

Rikthimi im në RTK si anëtar Bordi ishte një moment i këndshëm se pata shpresuar që institucionin tim të dikurshëm, transmetuesin tonë publik, ta konsolidojmë me sistem të qëndrueshëm financiar, pronë, funksionim ligjor, progres në pavarësinë editoriale. Ashtu që në fund të mandatit të largohem krenar me të arriturat. Fatkeqësisht, ky mision fisnik për mua mbetet në gjysmë. Uroj që ju ta realizoni.

I falenderoj ata deputetë që ma dhanë mandatin atëherë dhe një kërkimfalje për ta tani që nuk arrita ta kornizojë atë që ishte objektivë e përbashkët, një RTK e qëndrueshme dhe kredibile në kuptimin e pavarësisë së plotë institucionale.

Ju kërkoj ndjesë qindra kolegëve të vyer në RTK që po largohem pa arritur të ndihmojë në konsolidimin e shtëpisë sonë të përbashkët në kuptimin e financimit të qëndrueshëm, pronës së përhershme, kushteve meritore të punës, e që për ta përkthehet në ndjenjën e krenarisë së të qenurit pjesë e këtij institucioni.

Besoj në nevojën e transmetuesit publik dhe shpresoj që një përbërje tjetër, e jo një gjeneratë tjetër, ta kryej me sukses misionin fisnik të konsolidimit të RTK-së në planin e gjerë institucional.
Faleminderit për bashkëpunimin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera