Lajme

Sa vizita në muaj iu lejohen të paraburgosurve në Hagë, flasin nga Gjykata Speciale

Autori: H. Smajli 10:35 | 14 January 2022

Tashmë janë bërë afro dy vite prej kur Gjykata Speciale arrestoi ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët që nga dita e arrestimit gjenden në paraburgim në Hagë.

Deri më tani ish krerët e UÇK-së gjatë qëndrimit në paraburgim kanë pranuar gjithsej 200 vizita.

Këtë për Gazetën Infokus e kanë konfirmuar nga zyra për media e Dhomave të Specializuara sipas të cilëve në një periudhë kohore prej 30 ditësh apo një muaji të paraburgosurit kanë të drejtë vizite në vetëm 10 ditë.

-Advertisement-

Këto vizita mund të zgjasin gjithë ditën mirëpo pa kaluar kohën e vizitës për secilin.

“Të paraburgosurve u lejohen 10 ditë vizita në çdo periudhë 30-ditore dhe vizitat në përgjithësi mund të zgjasin gjithë ditën, brenda orëve të vizitës. Deri më tani janë bërë mbi 200 vizita të të afërmve dhe vizitorëve të tjerë personalë të të arrestuarve”, thuhet në përgjigjen nga Dhomat e Specializuara.

Nga këto dhoma po ashtu kanë treguar se nga kush mund të vizitohen të paraburgosurit dhe përveç familjes a kanë të drejtë për vizita të tjera.

“Të paraburgosurit mund të kenë vizita personale si nga anëtarët e familjes ashtu edhe nga persona të tjerë. Përveç kësaj, rregullat parashikojnë gjithashtu vizita të këshilltarëve dhe “Vizita të veçanta”, të cilat përfshijnë vizita konsullore ose vizita nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq për shembull.   KSK-ja nuk jep informacion se cilët të paraburgosur kanë marrë si vizitorë për arsye të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas kësaj gjykate vizitat e tjera që nuk janë pjesë e “vizitave të veçanta” apo nga avokatët mbrojtës, konsiderohen si vizita personale.

“Përveç vizitave nga avokatët mbrojtës dhe “Vizitat e veçanta”, vizitat e tjera përgjithësisht konsiderohen vizita personale”, kanë konfirmuar nga Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se procesi i gjykimit ndaj ish krerëve të UÇK-së i cili supozohej të fillonte në shtator të vitit të kaluar, nuk ka filluar ende ndërsa ata po vazhdojnë të mbahen në paraburgim./Gazeta Infokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera