Fokus

Sa të pasur janë kandidatët për kryeministër?

Autori: Anita Krasniqi 21:08 | 09 September 2019

Në fundjavë u zyrtarizuan të gjithë kandidatët që pretendojnë të udhëheqin qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Kandidatët që po synojnë të marrin postin e kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, në qershor kanë bërë publike pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, në formularin e deklarimit të pasurisë, kishte deklaruar se posedon një banesë prej vitit 2001 në emër të bashkëshortes së tij, në vlerë prej 97.000, një lokal afarist me sipërfaqe prej 270 metra katrorë, vlerën e së cilës nuk e ka deklaruar, posedimin e një shtëpie prej 350 metra katrorë e trashëguar nga prindërit e tij, si dhe tokë në mal prej 10 hektarë po ashtu e trashëguar.

-Advertisement-

Si kryetar i Kuvendit Veseli pati deklaruar se merr pagën prej 33 mijë e 870 euro e po ashtu rreth 5 mijë euro mëditje.

Veseli po ashtu ka deklaruar një veturë Jeep në vlerë 16 mijë e 300 euro dhe para të kursyera në dy banka së bashku me gruan e tij ka deklaruar se posedon mbi 6 mijë euro.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka treguar se ka një banesë, vlera e së cilës është llogaritur 40 mijë euro, po ashtu një garazhë e cila ende është e papërfunduar por që kap shifrën 2 mijë e 500 euro.

Osmani posedon edhe një parcelë toke, vlera e së cilës arrin në 38 mijë euro. Deputetja ka deklaruar edhe disa shtëpi tjera, por që janë nën pronësinë e bashkëshortit të saj.

Deputetja Osmani ka rreth 48 mijë euro para të gatshme në institucionet financiare. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani fiton për një vit 25,714.00 euro. Po ashtu ajo ka edhe të ardhura tjera si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj po del të jetë goxha i pasur.

Haradinaj në regjistrin e pasurisë ka deklaruar se posedon një shtëpi banimi në vlerë prej 300 mijë eurosh, të cilën e ka lëshuar me qira, një shtëpi tjetër banimi e cila kushton rreth 200 mijë euro dhe një banesë në vlerë të 70 mijë eurove.

Poashtu, Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi edhe një truall që kushton mbi 27 mijë euro. Si pasuri të përbashkët. Ai e ka deklaruar Kullën, që sipas tij kushton 270 mijë euro, dhe një tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro.

Si pasuri të paluajtshme, Haradinaj e ka deklaruar veturën e bashkëshortes, e cila ka një kosto prej 8 mijë eurosh. Të hyrat vjetore të tij e kapin shifrën e 100 mijë eurove. Haradinaj merr mbi 73 mijë euro nga qiraja, 32 mijë euro të tjera nga paga mujore si kryeministër, dhe 2 mijë e 700 euro pension invalidor, shkruan inFokus.

Ndërsa, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se posedon një apartament prej 67 metrave katror në vlerë prej 400 mijë eurove i cili është në pronësi të bashkëshortes së tij në Norvegji.

Kurti nuk ka deklaruar asnjë pronë të paluajtshme në pronësi të veten. Lideri i VV-së ka deklaruar se nga paga që merr si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka të hyra vjetore në vlerë prej 19,189 euro.

Bartësi i listës së koalicionit, Nisma – AKR, Fatmir Limaj, në Agjencinë kundër korrupsion ka deklaruar se në pronësi ka një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, një truall në vlerë prej 500 mijë eurove si dhe një shtëpi në vlerë të 250 mijë euro. Limaj posedon një veturë të tipit BMW me vlerë 10 mijë euro, ndërsa para të kursyera posedon 6,985 euro.

Si zëvendës kryeministër i qeverisë në largim, Limaj pati deklaruar se merr pagën mujore prej 2,687 euro, ndërsa bashkëshortja e tij merr 5.400 euro pagë vjetore. Mëditje nga qeveria e Kosovës Limaj kishte deklaruar 4,443 euro./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera