Opinione

Sa shumë mund të përfitojmë nga mërgata jonë?

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 15 November 2021

Më mbani për fjale, por për bindjen time, kështu siç jemi duke vendnumëruar politikisht në një mjedis politik rajonal e ndërkombëtar të trazuar dhe tepër të pafavorshëm, më parë ka për t’u anëtarësuar Rusia në BE, ose e kundërta, sesa Kosova në BE.

Shkruan: Agron HOTI

Pavarësia e Kosovës ka ndodhur në një moment të papërsëritshëm historie, përndryshe sot as që do të mund të merrej me mend një mega-ngjarje e tillë. Prandaj, shqiptarët tanimë duhet kthyer shfrytëzimit maksimal të resurseve profesionale të veta në të gjitha drejtimet e mundshme, e sidomos atyre resurseve apo arsenalit pafund të mërgatës sonë anekënd vendeve të BE-së.

-Advertisement-

Duke qenë se Kosova për fat të keq ende trajtohet nga perspektiva e sigurisë rajonale dhe duke qenë se pa tejkalimin e këtij problemi s’ka rehati e qetësi as vendore e as rajonale, si dhe duke parë tensionet në rritje në rajonin tonë si dhe përçarjet dhe ndarjet e thella anekënd BE-së, atëherë na mbeten dy rrugë për daljen nga ky qorrsokak ku jemi mbërthyer:

1) Nëse jemi të bindur dhe duam që projekti i Kosovës duhet dhe mund të ecën tutje, atëherë duhet të fillojmë menjëherë me shfrytëzimin e arsenalit të madh që ka mërgata jonë në favor të ndërtimit të një imazhi ndryshe për Kosovën nëpër vende të BE-së, dhe

2) Nëse e shohim që projekti i Kosovës s’ka asnjë mundësi të ecën tutje, atëherë pa humbur kohë duhet të afrohemi sa më shumë dhe sa më shpejtë me Shqipërinë si anëtare e NATO-s deri në bashkimin përfundimtar.

Secila nga këto dy rrugë të vetme kërkon analiza e veprime të shpejta dhe të koordinuara mirë duke ndërtuar kështu një konsensus vendor dhe qasje programatike për ta “çarë” rrethimin.

Përndryshe, kështu siç jemi duke vendnumëruar politikisht, të përçarë dhe të thyer nga brenda si asnjëherë që nga viti 1999, kështu siç jemi duke thelluar hendekun me Shqipëri si asnjëherë më parë, duke rritur izolimin tonë rajonal si dhe duke humbur edhe ata pak kreditë që kemi pasur para BE-së, s’kemi për të parë kurrë as BE e as bashkim me Shqipërinë.

Është pikërisht ky pat pozicion aktual që shkon tërësisht në interes të Serbisë e Rusisë, të cilat duan një Kosovë të paintegruar dhe pse jo të izoluar nga rajoni e BE, të prishur fort me Shqipëri siç është sot dhe të përçarë e thyer nga brenda siç saktësisht është sot dhe që refuzon të gjitha projektet amerikane. Fundja ky pat pozicion mbretëron kryesisht edhe për shkak të investimit mbi 20-vjeçar serb e rus për fundosje të shtetit të Kosovës, ndaj çdo vazhdim i këtij pat pozicioni pashmangshëm çon ujë te Serbia e Rusia me aleatë të tyre.

Të flasim pak për mërgatën tonë, arsenalin e së cilës as që e kemi menduar ndonjëherë sa dhe si duhet. Nëse e shohim shembullin e Izraelit, Turqisë e Kroacisë sa shumë këto shtete investojnë në mërgatën e tyre për t’i hyrë jetës politike e institucionale (dhe jo vetëm) nëpër vende të BE-së, dhr nëse Kosova vërtet synon anëtarësimin dhe integrimin në BE, duhet që pa humbur fare kohë t’i përvjelë mëngët edhe atë në dy rrafshe.

1) Në rrafshin e jashtëm, duhet që së pari të identifikojmë shqiptarë të mërgatës tonë që janë të gatshëm të punojnë për Kosovë e që të tillë ka shumë, pastaj të njëjtit duhet mbështetur nga vetë shteti i Kosovës për t’iu futur jetës politike dhe institucionale nëpër vende të BE-së dhe përmes tyre pse jo edhe nëpër institucione të BE-së, p.sh. në Parlament Evropian, etj.

Duke e futur mërgatën tonë nëpër institucione e parlamente të vendeve të BE-së si dhe nëpër institucione të BE-së dhe duke qenë se mërgata jonë i ka të gjitha kapacitetet dhe përgatitjet e nevojshme ngase njohin shumë mirë kontekstet, rrethanat dhe konstelacionet në vendet ku jetojnë dhe veprojnë, ata padyshim që do të ishin lobuesit dhe imazhndërtuesit më të denjë për perspektivën afatgjatë të shtetit të Kosovës dhe kjo do të ndërronte gradualisht përcepsionin për Kosovën anekënd BE-së.

Nuk ndërtohet imazhi me injorancën tonë që s’e di ç’ndodh as në lagje, me tillë që as shqip s’dinë të shkruajnë e lëre më në gjuhë të huaja. Nuk ndërtohet imazhi me injorancën tonë që s’ka kurrëfarë kapaciteti social apo aftësi komunikimi ndërpersonale e ndërkulturore. Nuk ndërtohet imazhi me injorancën tonë ku tërë shkollimin që nga fillorja e deri te fakulteti i ka përfunduar me lidhje dhe me të njofshëm. E injoranca vetëm sa do t’i iritojë edhe më shumë skeptikët edhe ashtu në rritje nëpër vende të BE-së të mbushur me përcepsion negativ të ushqyer kryesisht nga Serbia e Rusia me aleatë, por edhe nga vetë gabimet tona. Kuptohet përjashtime gjithmonë ka.

2) Kurse në rrafshin e brendshëm duhet joshur sa më shumë investime të mërgatës sonë duke iu krijuar kështu lehtësira të ndryshme institucionale, pronësore, etj., sepse mërgata jonë përpos që shpenzon shumë mjete në Kosovë, ajo edhe do të mund të investonte shumë në një ekonomi shumë të vogël siç është Kosova dhe ku efektet pozitive do të mund të vëreheshin shumë shpejtë. Rrjetëzimi i afaristëve të mërgatës tonë me afaristët brenda Kosovës do të krijonte një mjedis të qëndrueshëm biznesi, ashtu sikundër që do të gjeneronte rritje dhe zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Pastaj, shfrytëzimi i mërgatës tonë për zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e sektorit privat do të duhej mbështetur fuqishëm nga shteti jonë, kjo sepse përfitimet do të ishin marramendëse.

Të gjithë ata mërgimtarë tanë të suksesëshëm, pavarësisht fushëveprimit, duhet identifikuar nga shteti jonë për t’i mbështetur më pas në promovimin e tyre në të mirë të shtetit të Kosovës. Po ashtu, edhe ambasadat tona nëpër vende të BE-së duhet mbushur me përfaqësues të mërgatës sonë, kjo sepse, siç e thashë më lartë, i kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme duke filluar me njohjet e gjuhëve, mentalitetit, profesionalizmit si dhe famijarizimet e tyre me mjediset politike, ekonomike e sociale me vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

Kush nga Kosova mund të ndërtojë imazh më të mirë jashtë vendit sesa Ismail Kadare, Dua Lipa, Luan Krasniqi, Rita Ora, Haxhi Krasniqi, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, e sa profesionistë pafund të dëshmuar shqiptarë anekënd BE-së. Kur këtu i shtojmë një arsenal të tërë të shkolluarish shqiptarë nëpër top universitete të BE-së, atëherë kush do të mund ta përfaqësonte më mirë Kosovën dhe interesat e saj p.sh. në Romë, Paris, Berlin, Vjenë, Bruksel, etj. sesa mërgata jonë.

Fundja, shtetet sot japin miliona e miliarda euro apo dollarë për kompani apo individë që të lobojnë dhe ndërtojnë imazhe që krijonë narracione e përcepsione sa më pozitive nëpër botë dhe sigurisht që kjo përkthehet në zhvillim e prosperitet. E ne veç e kemi mërgatën nëpër të gjitha vendet e BE-së, ndaj vetëm duhet mbështetur atë si ambasadorët më të mirë të vendit. Të gjithë e dimë se më shumë ka çuar peshë në opinionin ndërkombëtar një deklaratë e Dua Lipas për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës sesa pothuaj tërë puna e institucioneve të Kosovës e marrë së bashku deri me sot.

Kur kësaj i shtojmë dhe rrjetet e shumta që ka mërgata jonë në jetën akademike, politike, institucionale, ekonomike, kulturore e sociale nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë, atëherë ndikimi i tyre do të ishte shumë herë më i madh, sesa nga dikush që shkon nga Kosova, ku injoranca në shkallë të gjerë është bërë përditshmëri, ku Parlamenti aktual i Kosovës është më i dobëti që prej themelimit të tij, ku përbërja e partive politike lë shumë për të dëshiruar, etj, dhe ku rrjetëzimi i njerëzve të Kosovës me vendet e BE-së është minimal, për të mos thënë inekzistent.

Prandaj, kjo ide kërkon një qasje programatike të nisur dhe mbështetur fuqishëm edhe me financa nga shteti i Kosovës duke e vënë interesin shtetëror para çfarëdo interesi personal apo partiak. Nuk duhet ta shohim mërgatën tonë vetëm si votë, sepse një gjë e tillë është fyese dhe afatshkurtë. Duhet formuar një këshill gjithpërfshirës në Kosovë, pastaj duhet marrë shembullin e Kroacisë që s’ka lejuar partiakëzimet e mërgatës, pra duhet shuar strukturat partiake të mërgatës sonë dhe duhet orientuar atë drejt interesit të përgjithshëm dhe mbi këtë bazë pastaj duhet formuar këshillat apartiake nëpër të gjitha vendet e BE-së. Pra, e tëra kjo kërkon qasje programatike. Shembuj të mirë kemi mjaft, vetëm duhet vullnet, përkushtim dhe veprim.

Nëse mërgata jonë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, pra saktësisht siç ka vepruar mërgata e Izraelit, Turqisë e Kroacisë, atëherë duhet shfrytëzuar sa më shumë kapacitetet e pafundme të saj nëpër vendet e BE-së. Çdo qasje partiake apo parciale e kësaj çështjeje do të dështojë qysh në start dhe sigurisht që kjo më pas natyrshëm do t’i hapë rrugë afrimit dhe bashkimit me Shqipëri. Por, edhe bashkimi me Shqipëri do vizion e përkushtim maksimal, e jo sikur sot kur hendeku Shqipëri-Kosovë është më i thelli në 30 vitet e fundit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera