Lajme

Sa persona u kompensuan sivjet si të arrestuar apo dënuar pa bazë ligjore?

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 19 November 2020

2OO mijë euro do të kompensohet ish-guvernatori i Bankës Qendrorë të Kosovës, Hashim Rexhepi për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.

Tri ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, i cili kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën prej 1,953,104.00 euro.

Ish-kreu i BQK-së, ka pretenduar se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

-Advertisement-

Por sa persona janë kompensuar sivjet nga KGJK?

Këshilli Gjyqësor i Kosovë në një përgjigje me shkrim për gazetën Objektiv kanë treguar për numrin e personave që janë kompensuar gjatë kësaj periudhe të vitit.

Sipas KGJK-së deri më tani janë kompensuar 87 persona për kompensim të dëmit si të arrestuar apo dënuar pa bazë ligjore dhe pa arsye.

Po ashtu janë kompensuar dy persona me aktgjykim të plotfuqishëm të gjykatës.

“Nga 01.01.2020 deri në momentin e raportimit janë kompensuar 87 persona në shumën prej 232,529.00 €. (Dyqind e tridhjetë e dymijë e pesëqind e njëzet e nëntë euro). Po ashtu Gjykata me aktgjykim të plotfuqishëm ju ka njohur të drejtën e kompensimit dy personave, njërit në shumën prej 50,300.00 € (Pesëdhjetëmijë e treqind euro) si dhe tjetri 80, 301.08 € (Tetëdhjetëmijë e treqind e një euro e tetë centi). Ndaj këtyre vendimeve është ushtruar mjet juridik i jashtëzakonshëm po ashtu këto çështjet janë në procedurë përmbarimi”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Pos këtyre rasteve në KGJK po trajtohet edhe raste të tjera nga personat të cilët po kërkojnë kompensim material.

“25 kërkesa për kompensim të dëmit për persona të dënuar ose arrestuar pa bazë ligjore dhe pa arsye janë duke pritur për vendosje e që besohet që do të kryhen brenda këtij muaji”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Ndërkohë, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se kanë kërkuar disa herë që të bëhet vlerësimi i performancës i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Sa i përket arrestimeve të paligjshme është një fenomen që nuk ndodh vetëm në Kosovë, por në të gjitha shtetet. Si Këshilli Gjyqësor, si Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’i bëhet vlerësimi i përformancës së tyre, fatkeqësisht kjo nuk ndodh në Kosovë. Kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së vullnetit dhe keq menaxhimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial nuk ka ndodh një gjë e tillë”, tha Miftaraj.

E fondi i ndarë nga Qeveria e Kosovës për kategorinë e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye për këtë vit është ndarë në shumën prej 500.000 € (Pesëqind mijë euro] /Objektiv/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera