Opinione

SA KOSOVA MUND TË “VARË PUSHKËN” TEK SHTETI SHQIPTAR?

Autori: Gazeta inFokus 08:40 | 27 June 2021

Shqipëria mbrohet në Kosovë dhe anasjelltas. Sa më stabile të jetë Kosova në marrëdhëniet e saj me fqinjët, aq më e shëndetshme është rruga e Shqipërisë, në forcimin e pozitës së saj gjeopolitike në rajon, si pjesë e Aleancës Veriatlantike. Nëse Serbia e pranon hapur se gëzon mbështetje ushtarake e politike nga Rusia, sa Kosova mund të varë pushkën” tek shteti shqiptar në raport me betejat e saj diplomatike kundër Serbisë.

Nga Mehmet PRISHTINA

Përpjekjet  e Kosovës për të thyerat barrierat e Serbisë në dialog, a janë vetëm beteja të vetmuara politike e diplomatike të saj, apo duhet kuptuar si një detyrim kombëtar i gjithë faktorit shqiptar në Ballkan?

-Advertisement-

Kësaj pyetjeje duhet përgjigjur Tirana zyrtare, por edhe forcat politike vendimmarrëse shqiptare në Shkup.

Kosova historikisht ka qenë një “infusion patriotik” për gjithë trevat shqiptare, dhe pikërisht Kosovë ka shërbyer si një front i betejave kombëtare për gjithë hapësirën shqiptare. Jo rastësisht, pikërisht në Kosovë ishin zhvilluar edhe kryengritjet më të përgjakshme kundër pushtuesve të huaj, kurse mjafton të përmendim Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si motorin e lëvizjes kombëtare, e cila u bë platforma më serioze politike e ushtarake e popullit shqiptar në kauzën e tij për pavarësi.

Nëse është e mundur të bëhet një bilanc historik i betejave kombëtare të Kosovës, atëherë pa kurrfarë hezitimi mund të themi se rruga e vështirë e pavarësisë së Shqipërisë londineze ka kaluar nëpër malet e Kosovës ku Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj. kishin shkrepur fishekët e kushtrimit për një të ardhme pa pushtues të shqiptarëve.

Mirëpo historia tregohet tepër arrogante me shqiptarët dhe këta fishekë nuk arritën të zgjojnë ndërgjegjen e fjetur të diplomacisë evropiane, e cila padrejtësisht përdori gërshërët e aneksimit dhe la jashtë Shqipëri londineze mbi shtatëdhjetë për qind të territorit shqiptar. Trojet shqiptare në vitin 1912 shtriheshin të paktën në 55-60 mijë km2, ndërsa disa autorë të tjerë thoshin se këto troje janë 70-75 km2. Me copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913 mbeti jashtë saj gjysma e trojeve, përkatësisht Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, viset shqiptare qe aktualisht jane ne Maqedonin veriorej, viset e Çamërisë si dhe vise të shkëputura më parë, si Ulqini me rrethina, viset perëndimore të ish Sanxhakut të Nishit etj. Në këto vise, shqiptarët përbënin mesatarisht 75-80 për qind të popullsisë. Ndërsa në vise të tjera periferike shqiptarët përbënin një mesatare prej 27për qind, pra në të gjitha këto vise që mund të arrinin mbi 40 mijë kilometra katrorë, jetonte më shumë se gjysma e kombit shqiptar. Është i njohur fakti se në 28 mijë kilometra katrorë, që është Shqipëria sot, jetonin në vitin 1912 afërsisht 703 mijë shqiptarë, ndërkohë që popullsia e përgjithshme ishte 740 mijë banorë. Ndërsa në trojet e aneksuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia   jetonin afërsisht 1 milionë shqiptarë. Nëse krahasojmë Shqipërinë me shtetet e tjera, ajo nuk kishte diferencë në sipërfaqe apo në popullsi. Sipas të dhënave zyrtare të shekullit XIX, Bullgari kishte 96 000 kilometra katrorë, Serbia kishte 48 000 mijë kilometra katrorë me 2,37 milionë banorë, Greqia kishte 65 000 mijë kilometra katrorë me 2,4 milionë banorë dhe Mali i Zi me 9 000 km2 dhe 227 mijë banorë.

Të dhënat dokumentare e arkivore vërtetojnë se shqiptarët në kohën e Lidhjes së Prizrenit kishin afro 1.3 milionë hektarë tokë bujqësore dhe në vitin 1912 mbanin në pronësi afro 1 milionë hektarë. Kjo sipërfaqe prodhonte rreth 0.5 milionë drithëra, e mjaftueshme për të ushqyer një popullsi prej 3 deri në 4 milionë banorë, sipas konsumit të atëhershëm.

Nëse brenda në Shqipëri në vitin 1913 mbetën afërsisht 350 mijë ha tokë bujqësore, jashtë saj mbetet të paktën dyfish më shumë. Vetëm në Kosovë ishin afro 400 mijë hektarë tokë bujqësore ndërsa në trevat e tjera që mori Serbia dhe Mali i Zi ishin më shumë se 200 mijë hektarë. E njëjta gjë ndodhi dhe me tokat në Çamëri.

Të gjitha këto shifra përbëjnë historinë  përgjakshme të popullit shqiptar, i cili nuk arriti të jetojë në një shtet të vetëm, edhe përkundër luftërave të pareshtura që kishte bërë.

Tani Kosova është entitet i pavarur, mirëpo raportet e pambyllura me Serbinë e kanë bërë atë një shtet të kërcënuar nga rreziku i dezintegrimit të brendshëm, si pasojë e presionit të Beogradit për ta bosnjizuar Kosovën.

Serbia nuk ka shprehur kurrfarë interesimi që ta pranojë realitetin e ri të krijuar pas vitit 1999 dhe për rrjedhojë ajo po refuzon ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Këtë qëndrim ka mbajtur ditë më parë në Bruksel edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dialogu i filluar para dhjetë viteve, i ndërmjetësuar nga Brukseli dhe i monitoruar nga Washingtoni, deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë rezultati, ndërkohë që Kosova është e kushtëzuar të përmbyll çështjet e hapura me Serbinë nëse synon integrimet euro-atlantike. Diplomacia evropiane nuk është treguar efikase në menaxhimin  e procesit të përafrimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe për faktin se janë edhe pesë shtete të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Serbia po përfiton nga pozita e saj gjeostrategjike, duke e përdorur si “gomë rezervë” Rusinë për të notuar në ujërat turbullta të gjeopolitikës. Këtë favor gjeostrategjik, Serbia po mundohet ta maksimalizojë edhe në dialogun me Kosovën përmes shantazheve të ndryshme, të cilat çuditërisht po tolerohen nga burokracia e Brukselit.

Por, ku është diplomacia e Shqipërisë së në këtë rubikon gjeopolitik dhe sa Tirana zyrtare po tregohet aktive në mbrojtjen e interesave shqiptare në tryezën dialogut Kosovë – Serbi?

Nëse Serbia e pranon hapur se gëzon mbështetje ushtarake e politike nga Rusia, sa Kosova mund të “varë pushkën” tek shteti shqiptar në raport me betejat e saj diplomatike kundër Serbisë. Tirana zyrtare ka një infrastrukturë të gjerë diplomatike e konsullore në botë, por ka edhe resurse të konsiderueshme intelektuale, akademike, politike, ushtarake, të cilat mund të vihen në shërbim të çështjes së Kosovës, në betejat e saj diplomatike e propagandistike kundrejt Serbisë. Mbrojtja e Kosovës tani për tani mund  të bëhet edhe në Beograd edhe në Bruksel dhe ky fakt është i pamohueshëm për një shtet me traditë mbi një shekullore, siç është Shqipëria. Kjo e fundit raportet e veta me Serbinë duhet t’i vendosë në dioptrinë e interesave të Kosovës, sepse edhe Shqipëria mbrohet në Kosovë dhe anasjelltas. Sa më stabile të jetë Kosova në marrëdhëniet e saj me fqinjët, aq më e shëndetshme është rruga e Shqipërisë, në forcimin e pozitës së saj gjeopolitike në rajon, si pjesë e Aleancës Veriatlantike.

Në Kosovë mbrohet edhe qenia shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Në të kaluarën ndryshimet që ndodhnin në Kosovë, reflektoheshin edhe në viset shqiptare në Maqedoni. Universiteti i Kosovës nuk prodhonte vetëm kuadro, por edhe modele kulturore  e politike që zbatoheshin edhe në Maqedoni nga ana e intelektualëve shqiptarë.

Lidhja shpirtërore, intelektuale, kulturore e politike në mes të Kosovës e Maqedonisë rezultonte në ngjarje emancipuese, duke filluar nga shkollat, revistat, gazetat, teatrot e deri te kryengritja e armatosur e vitit 2001, ku kontributi i kosovarëve ishte i pazëvendësueshëm. Pra, meritë për zhvillimin arsimor, politik e kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë, ka edhe Kosova, por ajo çka kërkohet aktualisht është fakti se sa sjellja politike shqiptare në Maqedoni po i ndihmon Kosovës të ndërtojë qëndrime më të forta kundrejt Serbisë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni, si ata në pushtet, si në opozitë, duhet të jenë më aktiv në ndjekjen e zhvillimeve në Kosovë,  duke ua bërë me dije faktorëve vendimmarrës ndërkombëtar se  janë të papranueshme formulat etnike për zgjidhjen statusit të serbëve në Kosovë, përmes favorizimeve që nuk janë të parapara në konventat ndërkombëtare.
Kërkesa për qasje reciproke duhet të vinë edhe nga shqiptarët në jug të Serbisë, të cilët gjithashtu duhet të insistojnë që në pakon e dialogut Kosovë-Serbi të zgjidhet edhe statusi i tyre. Nëse paska mirëkuptim ndërkombëtar për serbët e Kosovës të krijojnë Asociacion një etnik, pse nuk paska mirëkuptim për shqiptarët në jug të Serbisë që po iu ekspozohen masave diskriminuese të shtetit serb, që nga shpopullimi, pasivizimi i adresave e deri te mbyllja e perspektivës zhvillimore për këtë pjesë të territorit të banuar me shqiptarë.   Një ndër shtyllat e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të jetë gjithsesi edhe statusi i shqiptarëve të jugut të Serbisë dhe shqiptarve te Kosoves lindore qe ende kan mbetur te aneksuar ne jug te Serbis, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të ngelin jashtë agjendës për zgjidhjen problemeve etnike në Ballkanin Perëndimor.

E ardhmja e rajonit, që nesër do të jetë i integruar në BE, nuk është e plotë nëse Kosova nuk e fiton vendin e saj të merituar në familje  evropiane, duke flakur të gjitha pengesat që vinë nga Serbia. Por ajo këto nuk mund t’i arrij e vetme. I nevojitet edhe mbështetja e Shqipërisë, si dhe sjellja politike me takt e shqiptarëve të Maqedonisë dhe jugut të Serbisë.

 Prishtinë, 26 qershor 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera