Lajme

Sa i rënd do jetë gripi sezonal këtij dimri

Autori: Gazeta inFokus 23:10 | 20 November 2021

Me ardhjen e dimrit, edhe gripi sezonal është pjesë e pakos së të ftohtit. Madje, Ministria e Shëndetësisë, qysh në tetor ka filluar thirrjen për të marrë vaksinën kundër gripit sezonal.

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se është e rëndësishme të vaksinohen qytetarët kundër gripit sezonal.

Ai thotë se, ndonëse vitin e kaluar ka pasur më pak raste të gripit sezonal për shkak të masave parandaluese të COVID-19 që kanë bërë që të mos ketë shumë kontakt mes qytetarëve, kjo nuk do të thotë se gripi sezonal këtë vit nuk do të transmetohet fare. Ai madje nuk e përjashton mundësinë që kontakti pasues të jetë më i ashpër.

-Advertisement-

“Meqë struktura gjenetike e virusit të gripit sezonal ndryshon në një masë të caktuar për çdo vit, atëherë popullata e cila për një ose dy vite nuk ka kontaktin e rëndomtë me të ose nuk është vaksinuar me vaksinën kundër gripit sezonal e cila ndryshon për cdo vit në bazë të pritjeve të ndryshimeve të virusit, siç ka ndodhë në kohën e pandemisë, kontakti pasues në kohën e epidemisë së gripit sezonal, mund të jetë më i ashpër se zakonisht” ka deklaruar ai për Indeksonline.

Tolaj gjithashtu ka shtuar se simptomat e gripit sezonal me ato të virusit korona janë të ngjajshme, por që vetëm mjeku mund t’i detektojë dhe diferencojë.

Por, sipas infektologut, këto simptoma nuk janë të natyrës që mund të dallohen nga njerëzit që nuk e kanë mjekësinë në profesion, për këtë arsye është e nevojshme të konsultohet mjeku.

I pyetur për vaksinat anti-COVID dhe ato të gripit sezonal, Tolaj ka thënë se asnjëra nuk mund të ndikojnë për virusin tjetër.

“Jo, vaksina anti-COVID nuk ka asnjë efekt mbrojtës kundër gripit sezonal. Bëhet fjalë për virusë të ndryshëm, rrjedhimisht edhe vaksinat janë të ndryshme, gjithashtu edhe imuniteti specifik është specifik për secilin virus veç e veç”, ka thënë ai.

Infektologu gjithashtu ka shtuar se edhe po të merren këto dy vaksina në të njëjtën ditë, nuk paraqet asnjë problem, pasi që vaksina kundër gripit sezonal dhe ajo kundër SARS-CoV-2 nuk interferojnë me njëra tjetrën.

Indeksonline e pyeti infektologun Ilir Tolaj edhe për situatën momentale me COVID, të cilën ai e sheh si të volitshme, por që nuk e mohon rritjen e numrit të rasteve në muajt në vazhdim.

“Një numër i konsideruar njerëzish janë vaksinuar me dy doza të vaksinës, një numër tjetër ka fituar imunitet natyror duke e kaluar semundjen COVID-19, kështu që besoj, niveli i përgjithshëm i imunitetit kolektiv hibrid në Kosovë për COVID-19 është në nivel të mirë për të parandaluar ndonjë situatë të papritur me ndonjë valë të pakontrollluar të infeksioneve të reja. Por, një rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 edhe mund të këtë në javët dhe muajt e ardhshëm”, deklaroi ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këtë vit Kosova ka siguruar rreth 140 mijë vaksina kundër gripit sezonal. Ndërkaq, në anën tjetër, shteti ka në dispozicion mbi 300 mijë vaksina anti-COVID.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera