Lajme

Sa i kushtuan “Dullës” lapsat, fletoret e kimikat?

Autori: Doresa Geci 17:37 | 05 December 2019

Lapsat, fletoret e fletëpalosjet i kanë kushtuar gogja shtrenjtë, Avdullah Hasanit, gjatë kohës së tij si Koordinator për Gjeneratën e Re në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Mbi 11 mijë euro i ka shpenzuar ai vetëm për këto materiale, të cilat Zyra e Kryeministrit iu është referuar si materiale të shtypjes.

Në bazë të te dhënave që Gazeta inFokus ka siguruar nga Zyra e Kryeministrit, përmes qasjes në dokumente publike, Hasani për këto materiale ka paguar 11 mijë e 164 euro.

-Advertisement-

Sipas sqarimi të zyrës së kryeministrit, në këtë shumë përfshihen nga lapsat e fletoret me logo e deri të takimet që ka mbajtur ai.

“Shpenzimet e shtypjes përfshinë: Billborde, pop-Ap, roll-ap, broshura, fletëpalosje, ftesa, lapsa, kimikët me logo, shtypin e prezantimeve, fletoret me logo, podium, shtypi i billbordeve, revista, bluzat me logo, kapelat, dhe materiale të ngjashme që përdoren gjatë fushatave sensibilizuese, manifestimeve, konferencave, debateve, tryezave, konventave, pritjeve, gjatë takimeve me qytetarë, e në këtë rast me të rinj. Për sqarim, materialet janë përdorur për 23 organizime të ndryshme në kuadër të aktiviteteve të Zyrës”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Gazetën inFokus.

Derisa për dreka, Hasani ka shpenzuar vetëm 132 euro, në përgjithësi ai ka marrë nga buxheti i vendit 11 mijë 296 euro.

Gazeta inFokus po ashtu ka kërkuar edhe detaje tjera për shpenzimet e Avdullah Hasanit gjatë mandatit të tij si koordinator, por Zyra e Kryeministrit nuk ka ofruar të dhëna tjera përveç shpenzimeve për dreka zyrtare.

Avdullah Hasani, është emëruar Koordinator për Gjeneratën e re në fillim të vitit të kaluar, pozitë kjo si edhe shumë të tjera të shpikura në Qeverinë Haradinaj.

Kryeministri, Ramush Haradinaj gjatë mandatit të tij kishte vendosur që paga e koordinatoreve në këtë rast edhe e Avdullah Hasanit të ishte e barasvlershme me pagën e Ministrit.
Ai me këtë vendim ka pasur pagë mujore prej 1 mije 270 euro, shkruan Gazeta inFokus.

 

E të njëjtën pagë e kishin edhe katër koordinatorë të tjerë, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, Koordinatorin për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, Mendim Rugova, Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore – Besnik Tahiri si dhe Burim Ramadani, Koordinatorit Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO.

Gazeta inFokus kishe shkruar edhe për shpenzimet e Rexhep Hotit, Besnik Tahirit e Mendim Rugovës./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera