Ekonomi

Sa i ka kushtuar Kosovës polisa e sigurisë që qeveria Kurti vendosi të ia paguajë diasporës?

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 29 June 2022

Hiq më pak se 4 milionë e 753 mijë e 553 euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës, pagesa e polisave të sigurisë për mërgimtarët që hyjnë në kufijtë e Kosovës, në dy vitet e fundit.

Kjo sipas të dhënave që Gazeta Infokus ka siguruar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve. Sipas kësaj tabele të të dhënave thuhet se vetëm në vitin e fundit (2021), pati 276 mijë e 495 polica të sigurisë të shitura, ndërsa çmimi i tyre kapi shifrën 3 milionë e 594 euro.

Nga qeveria deri më tash është subvencionuar shuma prej 3,167,774.99 euro që do të thotë se qeveria i ka mbetur borxh BSK-së edhe 426 mijë e 660 euro.

-Advertisement-

Ndërsa në vitin 2020 shifra e polisave të shitura në kufij është më e ulët. Kjo sepse numri i mërgimtarëve që erdhën në Kosovë ishte më i vogël për shkak të gjendjes me pandeminë.

Sipas tabelës me të dhëna nga BSK-ja, në këtë vit në kufij u shitën 89 mijë e 163 polisa të sigurisë, me çmim 1 milionë e 159 mijë e 118 euro.

E qeveria ka ende borxh ndaj BSK-së për polisat e vitit 2020, për shkak se ka subvencionuar vetëm 866 mijë e 202 euro.

Sot ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një njoftimi ka treguar se edhe këtë vit qeveria do të paguajë polisën e sigurisë për bashkatdhetarët, shkruan Gazeta Infokus.

“Edhe këtë vit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë. Mirëpo për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit ka ndryshuar procedura”, ka thënë Murati përmes një njoftimi në Facebook.

Derisa ministri Murati ka treguar edhe se si do të jetë procedura këtë vit.

“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni. Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të pagesës në formularin online të Ministrisë së Financave”, ka shkruar Murati.

Kujtojmë se vendimi për vazhdimin e kësaj mbështetjeje për diasporën erdhi në qershor të vitit të kaluar në kuadër të “Pakos së Ringjalljes” sipas të cilës diasporës do ti paguhej përsëri polisa e sigurisë.

“Masa 4.5. – Mbështetja e mërgatës – Është zotim i yni që të lehtësojmë të gjitha barrierat për mërgatën tonë, që i kanë dhënë e vazhdojnë t’i japin kaq shumë vendit. Andaj do të mbulojmë koston e reduktuar të policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhim përfundimisht çështjen e Kartonit të Gjelbër”, thuhet në masën 4.5 të qeverisë së Kosovës në kuadër të Pakos së Ringjalljes.

Shumë e ndarë për këtë pikë është 5 milionë euro./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera