Opinione

Sa e duam Amerikën?

Autori: Egzon Baruti 16:24 | 09 October 2020

Rruga Prizren-Prevallë plotë me bukuri natyrore. Por kjo bukuri dita ditës po shuhet, jo nga koha por nga faktori njeri. Ashtu si pompat e benzinës që i kemi nëpër magjistralet tona, kemi edhe restorantet nëpër rrugët malësore ose periferike. Por kësaj here ajo çka më pengoi ishte një restorant gjigant, që kishte betonizuar një pjesë të madhe të një gjelbërimi deri te shtrati i Lumbardhit. Në hyrje të restorantit ishte vendosur një flamur gjigant i Amerikës, ndoshta më e madhe se ajo te Ambasada Amerikane në Prishtinë. Ndoshta personi që e ka ndërtuar atë restorant mu në mes të gjelbërimit është i njëjti me atë që e ka vendosur atë flamur të SHBA-së. Ndoshta e don Amerikën shumë, por dua që ta kujtoj që atë restorant me plot beton që e ka ndërtuar mu në mes të gjelbërimit nuk kish mundur me e ndërtu në Amerikë. Më kujtohet një i afërm që jeton në Amerikë, më kishte treguar se edhe lisin që gjendet në oborrin e shtëpisë nuk mundesh me e pre për qejfi, vetëm në raste nëse rrezikohet jeta e banorëve edhe me leje nga qeveria lokale. Nëse e kishim dashtë Amerikën së bashku me vlerat amerikane, nuk e kishim vendos atë flamur në një vend që është ndërtuar në kundërshtim me vlerat amerikane.

Kjo dyfytyrësi e dashurisë tonë për amerikën na shfaqet në shumë sfera të jetës nga ajo shoqërore deri te niveli qeveritar. Secilin shqiptar që e pyet se cilin shtet e duan më së shumti në botë, mendoj se përgjigja ka mu kon e njëjtë, Amerika. Por këtu dua të shtroj një pyetje tjetër ‘’ A doni vlerat amerikane apo vetëm flamurin amerikan?’’ Nëse e duam vetëm flamurin amerikan atëherë është në rregull. Por nëse duam edhe vlerat amerikane, atëherë mund të themi se jemi duke mashtruar veten. Si shoqëri jemi shumë larg vlerave amerikane, dua të numëroj disa. Dhuna në familje, trajtimi i gjinisë femërore, të drejtat e gruas janë të shkelura në çdo aspekt të jetës shoqërore. Fatkeqësisht nuk kalon muaji ose java që nuk lexojmë lajme për dhunën në familje, vrasje të bashkëshortes, etj etj. Më falni por dhuna në familje nuk bën pjesë në vlerat amerikane.

Nisesh për hiking, ngjitesh në lartësi 2000 metra por pamja që na del para syve është gjelbërimi natyra e mbushur me qese, mbeturina, kanaçe , shishe të plastikës në çdo kënd ku ka shkelur këmba e njeriut. Më falni por ndotja e ambientit në veçanti në parqet natyrore, nuk bënë pjesë në vlerat amerikane. Dëmtimi i pronës publike është sfida më e madhe që e kemi në shoqërinë tonë. Ndërtohen parqet me të gjitha mjetet për argëtimin e fëmijëve, por nuk kalon një muaj parku shkatërrohet. Jo vetëm në parqe e hapësira publike, por edhe në shkolla dëmtohen bankat, dritaret, karrikat. Të gjitha vendet, pajisjet publike blihen me taksat tona. Po ashtu blejmë dru e bllokojmë rrugën. Ndërtojmë shtëpi, zaptojmë rrugën. E martojmë djalin, lejmë krejt mahallën pa gjumë, etj etj. As dëmtimi i pronës publike, as prishja e qetësisë publike nuk bën pjesë në vlerat amerikane.

-Advertisement-

Jetesa jonë shoqërore pothuajse na shfaqet edhe në nivelin qendror shtetëror. Udhëheqësit tanë flejn e zgjohen duke e përsërit fjalën Amerika, Amerika… Por i qojnë me homologu veturat që janë prodhuar për ushtrinë amerikane, nëse i mbushin standardet e Golf 2-ve qe janë simbol i Kosovës tonë të varfër. Dëbojnë dhe kidnapojnë qytetarët e huaj, qofshin ata edhe amerikan. Cilat nga këto bëjnë pjesë në vlerat amerikane? Edhe kur emërojnë ministra, këshilltar e koordinatora e harrojnë këtë dashuri të bekuar me amerikën dhe veprojnë  sipas qejfit të tyre. Për këtë arsye shpesh na del ambasadori amerikan e na kujton këtë dashuri. Më falni por korrupcioni, mashtrimi, nepotizmi nuk bëjnë pjesë në vlerat amerikane.Mos të harrojmë që dashuria pa vlera është vetëm një mashtrim! GOD bless USA!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera