Lajme

Rusia vazhdon propagandën kundër Kosovës: Kurti dhe BE-ja po akuzojnë padrejtësisht Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 19:33 | 04 October 2023

S’kishte si të ndodhte ndryshe. Si aleati numër një i Serbisë, Rusia ka vazhduar me stilin e saj të propagandës pas sulmit terrorist në Banjskë, duke ia mbajtur anën terroristëve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, aktin terrorist serb ndaj policëve të Kosovës në veri e ka quajtur “incident” dhe se, sipas saj, Serbia është pre e akuzave të pabaza.

“Pas kësaj, nuk ka dyshim se akuzat e Prishtinës janë të pabaza dhe të padrejta”, ka deklaruar Zakharova derisa s’la pa komentuar, po ashtu padrejtësisht, dialogun Kosovë-Serbi. ”Dialogu shumëvjeçar i Brukselit për Kosovën ka treguar bindshëm se e vetmja palë konstruktive që përpiqet për një zgjidhje të civilizuar, paqësore, ligjore ishte dhe mbetet Beogradi”.

-Advertisement-

Në përpjekje për t’i arsyetuar krimet e Serbisë ndaj Kosovës, ajo tutje ka përdorur pretekstin e “spastrimit etnik”, që kinse po ndodh në Kosovë. Të njëjtat akuza i ka edhe vetë presidenti serb, Vuçiq.

”Prandaj çdo përpjekje për ta paraqitur Serbinë si luftënxitëse është absurde, është një gënjeshtër që synon diskreditimin e Beogradit, largimin e vëmendjes nga spastrimi etnik antiserb që është duke u nisur kundër serbëve në krahinë”, tha zyrtarja e MPJ-së ruse.

Zakharova ka vazhduar të drejtojë gishtin edhe ndaj BE-së, pasi siç thotë, e ka diskredituar plotësisht veten si ndërmjetës.

“Dhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në Armeni, për shembull. Ata premtuan të gjitha llojet e gjërave, por nuk bënë asgjë, përveç provokimeve që çuan në shpërthimin e situatës, e cila ishte e nevojshme dhe mund të zgjidhej në rrugë ligjore dhe në fushën politike duke marrë parasysh të gjitha specifikat historike të situatës’’.

Ndërsa për kryeministrin Kurti, Zakharova pretendoi se po e normalizon poshtërimin e komunitetit serb në Kosovë. Kurti disa herë e ka përmendur se është kryeministër i të gjithëve.

“E ktheu në një normalitet të ri frikësimin dhe poshtërimin e popullatës joshqiptare”, ka përfunduar ajo.

Lidhjen e Rusisë me Serbinë, dhe bashkëpunimin në sulmin terrorist në Banjskë e kanë faktuar edhe autoritetet e Kosovës. Një nga terroristët e vrarë të dielën e 24 shtatorit ishte truproja personale e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksander Vulinit.

Presidentja Osmani, të martën, në CNN, tha se përmes këtij sulmi, Putini synoi që të hapë një front të ri lufte në Ballkanin Perëndimor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera