Lajme

Rusia refuzon kërkesën e SHBA-së për ta vizituar gazetarin e burgosur

Autori: Gazeta inFokus 15:07 | 27 April 2023

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten, më 27 prill, se e ka refuzuar një kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i bërë një vizitë gazetarin amerikan të The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili është burgosur në Rusi nën akuza për spiunazh.

Ministria ruse tha se refuzoi kërkesën për një vizitë më 11 maj në shenjë hakmarrjeje për refuzimin e SHBA-së për t’u dhënë viza gazetarëve rusë që planifikonin ta shoqëronin ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një udhëtim për në Kombet e Bashkuara (OKB).

Gershkovich ka qenë në paraburgim që nga arrestimi i tij më 29 mars nga shërbimi i sigurisë ruse nën akuzat për spiunazh që ai, The Wall Street Journal dhe qeveria e SHBA-së i kanë mohuar.

-Advertisement-

Gershkovich është korrespondenti i parë amerikan që nga fundi i Luftës së Ftohtë që është arrestuar në Rusi nën akuzat për spiunazh. Arrestimi i tij tronditi gazetarët amerikane dhe nxiti zemërim në mesin e shteteve të Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur Gershkovichin të “arrestuar gabimisht” dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Refuzimi rus i kërkesës së SHBA-së për një vizitë konsullore për Gershkovichin erdhi pas paralajmërimit nga Lavrov se Moska “nuk do ta harrojë dhe nuk do ta falë” refuzimin e vizave për gazetarët rusë.

Ministria e Jashtme ruse tha se po shqyrtonte gjithashtu ndërmarrjen e hapave të tjerë hakmarrës.

“Një shenjë proteste u paraqit në lidhje me sjelljen provokuese të misionit diplomatik të SHBA-së, e cila pengoi lëshimin e vizave për përfaqësuesit e mediave të zgjedhur nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të cilët supozohej ta shoqëronin atë në udhëtimin e tij drejt Nju Jorkut si pjesë e presidencës ruse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

“Ambasada e SHBA-së u informua në lidhje me këtë se kërkesa e saj për qasje konsullore ndaj shtetasit amerikan Gershkovich, të arrestuar nën dyshimin për spiunazh, më 11 maj, u refuzua”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Masa të tjera të mundshme hakmarrëse, për të cilat pala amerikane do të njoftohet në kohë, janë duke u shqyrtuar”./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera