Rusia nis sulme të reja masive me dronë në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus
11:04 | 22 March 2023
Rusia gjatë natës nisi sulme masive me dronë që vranë të paktën tre persona. Ushtria ukrainase tha më 22 mars se gjerësisht ka zmbrapsur këto sulme, teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë në rajonin lindor të Donjeckut për kontrollin e qytetit të Bahmutit.
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore janë lëshuar për disa orë në mesnatë në Kiev dhe në disa rajone të tjera ukrainase. Administrata ushtarake e qytetit të Kievit tha se tre persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur në sulmin gjatë natës në rajonin e Kievit.
“Si rezultat i sulmit me dronë në rajonin e Kievit është dëmtuar një objekt civil. Deri më tani dimë se tre persona janë vrarë dhe shtatë janë plagosur. Informacionet janë duke u qartësuar”, tha kjo administratë përmes një postimi në Telegram.
“Në natën e 22 marsit, armiku nisi edhe një sulm masiv ajror me dronët [e prodhimit iranianë] Shakhed-136”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
“Sipas informacioneve preliminare, 16 nga 21 dronët e lëshuar nga armiku janë shkatërruar nga mbrojtësit tanë”, tha ushtria ukrainase. Ajo shtoi se kërcënimi nga sulmet ajrore mbetet i lartë në mbarë territorin e Ukrainës.
Në rajonin verior të Zhitomirit, nga sulmet me dronë është dëmtuar një ndërtesë, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Vitaly Bunechko përmes një postimi në telegram.
“Tre dronë të armikut janë rrëzuar nga njësitë e mbrojtjes ajrore”, tha Bunechko, duke shtuar se në këtë rajon nuk raportohet për viktima.
Gjatë kohës kur po ndodhnin sulmet me dronë, në qytetin perëndimor ukrainas të Hmelnitskit është raportuar për një shpërthim, por autoritetet lokale më pas thanë se në hapësirën ajrore të këtij rajoni nuk është detektuar ndonjë dron.
Në lindje, forcat ukrainase kanë zmbrapsur 114 sulme gjatë 24 orëve të fundit dhe përqendrimi ka qenë në Bahmut, ku forcat ruse po tentojnë të përparojnë drejt qendrës së qytetit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Bahmuti, që ka pësuar dëme të mëdha nga luftimet, ka qenë epiqendra e betejës disa mujore që ka shkaktuar humbje të mëdha te të dyja palët. Analistët kanë thënë se ky qytet nuk ka vlerë shumë të madhe strategjike. Në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar nga Rusia, autoritetet e instaluara nga Moska kanë njoftuar se do të ndërprenë transportin me traget në zonën e portit në Detin e Zi, ku gjendet selia e Flotës ruse të Detit të Zi.
Më herët, guvernatori i instaluar nga Moska në Sevastopol, Mikhail Razvozhayev, tha se mbrojtja ajrore e qytetit kishte zmbrapsur një sulm ukrainas me dronë.
Ky informacion nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe Ukraina nuk ka komentuar lidhur me këtë incident të pretenduar.
Më 21 mars kryeministri japonez, Fumio Kishida, qëndroi në Kiev dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’i treguar mbështetjen e shtetit të tij për Ukrainën. Kjo vizitë e tij përkoi me vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping në Moskë.
Zelensky postoi pamje të takimit të tij me Kishidën, duke e quajtur atë “një mbrojtës të fuqishëm të rendit ndërkombëtar dhe mik të kamotshëm të Ukrainës”.
Kishida, para takimit me Zelenksyn vizitoi Buçan, një qytezë afër Kievit, ku kryetari i kësaj qyteze tha se vitin e kaluar forcat ruse vranë 400 civilë. Kishida vendosi kurora lulesh jashtë një kishe dhe më pas mbajti një minutë heshtje.
Vizita e Kishidës në Ukrainë u zhvillua në kohën kur Japonia po përgatitet të jetë nikoqir i samitit të Grupit të Shtatë vendeve (G7) në maj. Lideri japonez tha se ky samit duhet të dërgojë një mesazh të qartë se rendi ndërkombëtar dhe sundimi i ligjit duhet të mbështeten në kundërshtim të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që Moska e nisi në shkurt të vitit 2022.
Zelensky tha se ka pranuar ftesën nga Kishida që të marrë pjesë në këtë samit dhe ai do të jetë pjesëmarrës përmes video-lidhjes./Rel

Të tjera
-
Borrell kërkon që Kosova t’i pezullojë aksionet e saj të policisë në veri
Shefi për Politikë të Jashtme, i BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar sot që Koso...
-
Protestuesve në Zubin Potok iu sjellin ushqim, thuhet se erdhën nga Serbia
Gjendja në Zubin Potok paraqitet e qetë deri në këto momente. ...
-
Stano: Përgjegjëse për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar që të përgjigjet në ...
-
Tahiri: Borrell e Lajçak të japin dorëheqje
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahir...
-
Tensionohet situata në Leposaviq, gazetarët sulmohen nga personat e maskuar
Në prag të Ditës Botërore pa Duhan, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ...
-
KOK reagon në Komunitetin Olimpik Ndërkombëtar për provokimet e Gjokoviqit
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dërguar sot ankesë në Komitetin Olimpik N...
-
Simiq dhe Todiq negociojnë me KFOR-in
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe Slavko Simiq dhe...
-
Tensionohet situata në Leposaviq, gazetarët sulmohen nga personat e maskuar
Gazetarët që po i përcjellin nga afër ngjarjet në veri të vendit janë sulmuar...
-
BE do takim Kurti-Vuçiq në Bratisllavë
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajç...
-
Nagavci: S’kemi raport zyrtar, por nga informatat që kemi procesi mësimor nuk po zhvillohet në veri
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci,...
-
Zhvillimet në veri: Lajçak po tenton të organizojë takim Kurti – Vuçiq
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosl...
-
Një nga shkencëtarët më të mirë të Kinës: Covid mund të ketë dalë edhe nga laboratori
Mundësia që virusi që shkakton Covid-19 të ketë rrjedhur nga laboratori n...