Lajme

Rusia i kërkon Gjykatës Speciale në Hagë që ta dënojë Hashim Thaçin

Autori: Gazeta inFokus 13:27 | 26 October 2023

Përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vassily Nebenzia, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që t’i dënojë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi gjyqësor i të cilëve po zhvillohet në Hagë.

Ai ka shprehur besimin se Gjykata Speciale “nuk do ta përsërisë gabimin e Tribunalit të Hagës dhe se ata që janë përgjegjës do ta marrin dënimin që meritojnë”, duke aluduar kështu në lirimin e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Këto deklarata, rusi Nebezia i ka bërë gjatë seancës së KS të OKB-së, të hënën, më 23 tetor, teksa është diskutuar rreth situatës në Kosovë.

-Advertisement-

“Në këtë kontekst, është gjithashtu e qartë se Prishtina ka shpallur vazhdimësi midis “policisë” aktuale dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një organizatë terroriste, liderët e së cilës, përfshirë Hashim Thaçin, aktualisht po gjykohen si të akuzuar për krime të rënda lufte pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Ne besojmë se Dhomat nuk do t’i përsërisin gabimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe se të gjithë ata që janë përgjegjës do të marrin dënimin që meritojnë. Në këtë kontekst, refuzimi i Prishtinës për të paguar dëmshpërblim viktimave të krimeve të kryera nga luftëtarët e UÇK-së, në kundërshtim me vendimet e marra në Hagë, flet vetë në mënyrë të qartë”, ka deklaruar Vassily Nebenzia.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar në nëntor të vitit 2020, pas një aktakuze të ngritur nga Gjykata Speciale, ndërsa procesi gjyqësor kundër tyre ka filluar në prill të këtij viti.

Ministria e Jashtme e Rusisë asokohe pati përshëndetur arrestimet e krerëve të UÇK-së.

“Fakti që Dhoma e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka intensifikuar hetimet ndaj krimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me aktakuzat kundër ish-drejtuesve të këtij entiteti të neveritshëm kanë ardhur në vëmendjen tonë. Të akuzuarit përfshijnë ‘Presidentin’ Hashim Thaci dhe ish ‘Kryetarin e Kuvendit’ Kadri Veseli. Është shumë e rëndësishme të çohen para gjykatës ata që janë fajtorë për kryerjen e krimeve të rënda, të identifikuar në kohën e duhur nga raportuesi i PACE, Dick Marty, për t’i mbajtur ata përgjegjës para ligjit. Në këtë kuptim, nuk duhet të ketë njerëz të paprekshëm”, thuhej në deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera