Lajme

Rusia bën dëbim masiv të diplomatëve gjermanë

Autori: Gazeta inFokus 14:51 | 23 April 2023

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se do të dëbojë një numër të diplomatëve gjermanë nga vendi.

Në njoftimin e saj thuhet se ky është “reagim ndaj veprimeve armiqësore të Berlinit”.

Ministria, po ashtu, tha se synon “të kufizojë ndjeshëm numrin maksimal të punonjësve të misioneve diplomatike gjermane” në Rusi.

-Advertisement-

Gjermania nuk ka njoftuar në lidhje me ndonjë dëbim më herët, por një zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane tha më 22 prill se të dyja palët kanë qenë në kontakt gjatë javëve të fundit, në lidhje me përfaqësitë e ambasadave dhe konsullatave.

“Largimi i sotëm i stafit të Ambasadës ruse lidhet me këtë”, tha zyrtari, por Ministria e Jashtme gjermane nuk specifikoi se sa diplomatë rusë janë larguar.

Zyrtari tha se mbërritja e një avioni qeveritar rus në Berlin, me leje të posaçme diplomatike, lidhej me këtë çështje.

Avionët rusë janë të rrallë në Evropë, sepse Bashkimi Evropian ka mbyllur aeroportet dhe hapësirën e vet ajrore për linjat ajrore ruse, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se më shumë se 20 diplomatë gjermanë do të dëbohen nga Rusia.

Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, raportoi se një numër i njëjtë i diplomatëve rusë po dëbohet nga Berlini.

Gazeta gjermane, Bild, tha se 34 nga 90 pjesëtarët e stafit gjerman në Rusi do të dëbohen.

Mediat gjermane raportuan qysh në muajin mars se Berlini po konsideronte dëbimin e më shumë se 30 diplomatëve rusë nga vendi.

Sipas raporteve, agjencitë gjermane të sigurisë kanë arritur në përfundimin se përfaqësuesit rusë mund ta përdorin imunitetin e tyre diplomatik për të rekrutuar informatorë, për qëllime sabotimi ose përhapje të dezinformatave.

Në prill të vitit 2022, Gjermania i ka shpallur 40 diplomatë rusë persona të padëshirueshëm. Në kundërpërgjigje, Rusia ka dëbuar 40 diplomatë gjermanë. /REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera