Opinione

RTK-ja e dërrmuar, në duart e Vetëvendosjes

Autori: Gazeta inFokus 17:05 | 18 June 2021

Mjafton të lexosh komentet në një lajm për mediumin publik kosovar, për të parë mllefin e madh që është krijuar këtyre viteve ndaj RTK-së.

Radiotelevizioni Publik i Kosovës, para disa vitesh, kur ende politika nuk e kishte kapur plotësisht, vlerësohej si media më e besueshme në vend dhe konsiderohej shembull edhe për transmetuesit publikë të rajonit.

Sa më shumë u kap RTK-ja, aq më e thellë u bë kriza.

-Advertisement-

Partitë kush më shumë e kush më pak, lanë vrragën e tyre në degradimin e medias sonë publike, por vulën kësaj anarkie ia dhanë dyshja Hashim Thaçi-Kadri Veseli. Të tjerët si Ramushi, Fatmiri, Behxheti e ndonjë tjetër, nuk është se nuk ngjyen fare, megjithatë gremisja erdhi si pasojë e vendimmarrjes së kapove të Kosovës.

Dikur bordin e RTK-së e udhëhiqte Adem Demaçi, ndërsa anëtarë të tij ishin personalitete me ndikim dhe integritet. Bordistët e viteve të fundit, kur Republikën e sundonte PDK-ja, zakonisht ishin anonimusë ose intelektualë servilë të llojit të Sali Bashotës, kryetarit aktual të bordit.

Bordi i drejtorëve, ishte leva e rrënimit në RTK. Aty delegoheshin njerëzit e partive, pa kurrfarë standardi e kriteri, sipas pazareve që bënin shefat e mëdhenj. Rrjedhimisht, menaxhmenti i mediumit publik, zgjedhej sipas shijeve të dyshes së lartpërmendur, pa përfillur konkurset formale qesharake, duke shkelur mbi kriteret profesionale, ligjore, njerëzore.

Deri atje arritën këto shkelje, sa edhe drejtorin e përgjithshëm, e bënë kundërligjshëm me 6 vota, ndonëse ligji e thotë qartë se duhen dy të tretat e anëtarëve të bordit, pra së paku 7 vota.

Ky nuk ishte rasti i vetëm i zgjedhjes së paligjshme të njeriut kryesor në menaxhmentin e lartë. Edhe menaxherë të tjerë rezultojnë të jenë zgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe për këtë ka vendime të organeve kompetente.

Në këto rrethana paligjshmërie, RTK-ja u fundos edhe më tej, ndërsa dy sfidat e mëdha pas 21 vjetësh, ende nuk kanë marrë një zgjidhje. Sot, për gati një mijë punonjësit e mediumit publik, nuk ka një objekt normal për punë dhe as financim afatgjatë të qartë.

Edhe pse bordet bashkë me menaxhmentet respektive duhej të propozonin në Kuvend zgjidhjet konkrete, për t’i hapur rrugën stabilizimit të RTK-së, ata u përkushtuan me realizimin e interesave personale, klienteliste, duke punuar kështu kundër interesit publik dhe hapur në kundërshtim me ligjin.

Kushdo që kishte lidhje politike, farefisnore, klienteliste, përfitonte punë apo projekte. Pjesëtarë të menaxhmentit apo bordit, kishin interesat e tyre financiare në këtë marrëdhënie hapur korruptive që zhvillohej mbi kurrizin e punëtorëve duke rrezikuar të ardhmen e mediumit publik.

Edhe pse sindikalistët e televizionit denoncuan në vazhdimësi skandalet e njëpasnjëshme, autoritetet as që u morën me atë punë. Sa herë shpërthente një aferë, pas pak muajsh do të shihje të afërmin e ndonjë polici, inspektori, prokurori apo auditori, që ishte bërë punëtor i rregullt i kompanisë.

Edhe pse përfitonte miliona nga paratë e taksapaguesve, RTK-ja e mbajti larg Auditorin e Përgjithshëm.

Kur numri i punëtorëve ishte përgjysmë ose më pak se tash, programi i RTK-së pëlqehej dhe besohej. Edhe të hyrat nga marketingu, më të mëdha ishin.

Kur numri i të punësuarve u dyfishua dhe në zyrën e marketingut u punësuan dhjetëra ‘ekspertë’, programi ra në nivele të mjerueshme e të hyrat gjithashtu pësuan rënie.

Në gjuhën ligjore, kësaj i thonë: Keqpërdorim i detyrës zyrtare, dmth, e dënueshme me disa vjet burg.

Gazetarët servilë e të dobët, që i shërbenin politikës, u shërblyen me pozita të rëndësishme. Ata që as një storie nuk e menaxhonin dot, nuk mund ta administronin një kompani të tërë që po mbërrinte njëmijëshin me punësime.

Por, për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ishte e rëndësishme që RTK-në, e kishin nën sqetull. Pak vlente, sa po i vinte era.

Politika editoriale, viteve të fundit, drejtohej kundër një subjekti e mbështeste një tjetër, hapur. Mjafton të rikujtoni deklaratat e ish-kryeredaktorit se i kishte në zemër Thaçin e Veselin. Çdo koment tjetër, është i tepërt.

Si çdo sferë publike, edhe kjo, u keqpërdor në maksimum nga politika dhe tani jemi në një moment, ku si për ironi të fatit, prapë është politika që mund t’i japë një drejtim shpresëdhënës. Ose në rastin më të keq, ta shuajë edhe atë fije shprese për rimëkëmbjen e medias publike në Kosovë.

Kuvendi e ka iniciuar natyrshëm shkarkimin e bordit jokompetent dhe të papërgjegjshëm, për t’i hapur rrugën zgjedhjes së një bordi dhe menaxhmenti të ri, që mund të sjellë një frymë të re e ta reformojë RTK-në.

Ka personalitete, njerëz të përgatitur, që mund ta japin kontribut të madh për RTK-në. Këta që ishin deri tash, bordin e kanë shfryrëzuar për një rrogë të mirë e ndonjë interes të ngushtë. As që u ka interesuar zhvillimi i medias publike.

RTK ka kapacitete brenda saj, por profesionistëve aty u janë lidhur duart. Dikur, gazetarët më të fortë në Kosovë, e kishin ëndërr të punonin në RTK. Sot, as që i kthejnë sytë andej.

Vetëm shkarkimi i bordit dhe menaxhmentit nuk mjafton. Përgjegjësit kryesorë të rrënimit të Radiotelevizionit Publik të Kosovës, kanë emër e mbiemër. Ata duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Me një pagë, nuk mund të bëhesh pasanik i madh, siç u ka ngjarë disa protagonistëve në RTK, të cilët ende janë vendimmarrës aty.

Media publike, i duhet Kosovës dhe duhet t’i kthehet publikut. Lëvizja Vetëndosje, e ka shansin e artë, për të dëshmuar se do ta kthejë ligjshmërinë dhe dinjitetin e nëpërkëmbur në RTK.

Si një vend që aspirojmë Bashkimin Evropian, nuk kemi çfarë të shpikim në këtë drejtim. Le të ndiqen shembujt evropianë të transmetuesve publikë dhe të zhvillohet RTK-ja.

Por, së pari duhet pastruar terreni i kontaminuar viteve të fundit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera