Lajme

Rrugët vrasin 29 kosovarë për katër muaj

Autori: Gazeta inFokus 17:52 | 17 May 2018

Mesdita e 24 prillit ishte tragjike për motoristin 25-vjeçar, G.N nga Fushë Kosova.

Ai humbi jetën në një aksident trafiku teksa po drejtonte motoçikletën e tij në magjistralen Fushë-Kosovë- Prishtinë.

E fatin e njëjtë me 25 vjeçarin e patën edhe 28 persona të tjerë në vend.

-Advertisement-

Vetëm gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në rrugët e Kosovës humbën jetën 29 persona, shkruan Infokusi.com.  Në krahasim me vitin e kaluar, të dhënat e Policisë së Kosovës paraqesin situtë shqetësuese të rritjes së vdekjeve në komunikacion.

Gjatë katër mujorit të parë të këtij viti (janar-prill) kanë ndodhur 4,569 aksidente trafiku, shkruan infokusi.

Ndërkaq në 1,770 aksidente trafiku u lënduan 3,570 persona.

Ndryshe viti 2017 konsiderohej si viti me më së shumti aksidente në Kosovë që nga paslufta.  Por që katër muajit e parë të 2018-ës i kanë ndryshuar këtë epitet.

Gjatë periudhës janar-prill 2017 në tërë territorin e Kosovës kanë ndodhur 5214 aksidente trafiku ku si pasojë e tyre humbën jetën 27 persona ndërsa u lënduan 3521.

Përpjekje për parandalimin e aksidente në komunikacion u bënë qysh në fund të vitit 2017 kur u nënshkrua  një deklaratë bashkëpunimi mes Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme e Policisë së Kosovës

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kanë nënshkruar deklaratën për rritjen e sigurisë dhe standardeve të komunikacionit rrugor,  duke e shpallur vitin 2018 si vit të sigurisë dhe standardeve në komunikacion.

Bie numri i tiketave të trafikut

Ndryshe nga aksidentet, tiketat për shkelje të rregullave në komunikacionin kanë shënuar rënie këtë vit. Gjatë këtij katër mujori janë shqiptuar 811 dënime më pak se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave së Policisë së Kosovës dërguar Infokusit thuhet se gjatë muajve janar-prill të 2018 janë shqiptuar 11,8743 tiketa ndërsa në katër muajt e parë të 2017-ës janë shqiptuar 11,9554 tiketa për shkelje të rregullave të komunikacionit.

Në rënie të numrit të gjobave mund të ketë ndikuar ligji i ri për kundërvajtje në trafik  i cili ka hyrë në fuqi që nga 1 janari i këtij viti.

Sipas këtij ligji, Policia e Kosovës mund të shqiptoi gjobat për personat fizik deri në 500 euro ndërsa për personat juridik deri në 1 000 euro,  ndryshe nga ligji paraprak sipas të cilit Policia ka shqiptuar gjobë deri në 60 euro në vendngjarje ndërsa për gjobat më të larta dosjet i kishte dërguar në Gjykatë. (Agnesa Citaku)/INFOKUSI

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera