Lajme

Rruga e Vjosa Osmanit për në Presidencë

Autori: Gazeta inFokus 19:38 | 04 April 2021

Vjosa Osmani u bë presidentja e gjashtë e republikës, dhe e dyta grua, pas Atifete Jahjagës.

Historiku i saj me LDK-në është ai i dashurisë dhe urrejtjes.

Vjosa Osmani e nis karrierën në kabinetin e presidentit Fatmir Sejdiu, shkruan AlbanianPost.

-Advertisement-

Si shefe e kabinetit del në pah në dy momente.

Në Uashington, kur përkthen për presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, në konferencë mediash me sekretaren Hillary Clinton.

Dhe në Hagë, si pjesë e ekipit që mbron pavarësinë e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ajo nuk arrin ta mbrojë presidentin Fatmir Sejdiu.

Për pasojë, ai jep dorëheqje nga ajo pozitë.

Vite më vonë, e akuzon Osmanin për tradhti dhe marrëveshje me Isa Mustafën.

Kjo është disfata e parë e Osmanit.

Në zgjedhjet e vitit 2014, ajo garon dhe bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet të cilat i fiton Partia Demokratike e Kosovës.

Partitë tjera bëhen bashkë dhe e sfidojnë PDK-në në Gjykatën Kushtetuese.

Përfaqësuese të tyre para gjykatës e zgjedhin Vjosa Osmanin.

Ajo humbet sërish.

Ndërkaq, PDK dhe LDK bëhen bashkë për ta formuar qeverinë të cilën do ta udhëhiqte Isa Mustafa.

Vjosa Osmani dhe tre deputetë tjerë të LDK-së votojnë kundër.

Këtu nis përplasja e saj me Isa Mustafën.

Një vit më pas, Osmani ia mësyn të bëhet kryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, kandidatura e saj as nuk miratohet nga Kuvendi Zgjedhor. Kryetarin e rizgjedhur, Isa Mustafën, e quan jo-legjitim.

Kur temë e nxehtë bëhet demarkacioni, ajo del sërish kundër qeverisë që udhëhiqej nga LDK-ja.

Dështimi në miratimin e demarkacionit e rrëzon Qeverinë e Isa Mustafës.

Zgjedhjet i fiton koalicioni i atij që njihet si “krahu i luftës”.

Dhe demarkacionin të cilin nuk e kishte votuar me Mustafën kryeministër, Osmani e voton kur kryeministër bëhet Ramush Haradinaj.

Pasi e votoi marrëveshjen për kufirin të cilën e kishte nënshkruar Hashim Thaçi, ajo merr pjesë në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Hashim Thaçit, shkruan AlbaninanPost.

Presidenti nuk lëkundet. Mirëpo, një vit pas bie qeveria.

Para zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në ciklin e vet zgjedhor.

Pa kundërkandidat Isa Mustafa rizgjedhet kryetar me aklamacion.

Kësaj radhe, Vjosa Osmani, nuk kishte asnjë epitet për shefin e partisë.

Dhe disa ditë më pas, shpallet kandidate e LDK-së për kryeministre.

Sondazhet e nxirrnin 6-8% para kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Por, zgjedhjet e 6 tetorit rezultuan si një tjetër betejë e humbur për Vjosa Osmanin.

Nga synimi për ta udhëhequr qeverinë, u mjaftua me moderimin e Kuvendit.

Pasi Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi që pas 51 ditësh ta prishë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, ajo doli sërish kundër partisë.

Kur dekreti i presidentit për Avdullah Hotin kryeministër u çua në Gjykatën Kushtetuese, komentet e saj ishin në vijë me kërkesën e VV-së.

Dështoi për të tretën herë.

Nuk e votoi as qeverinë që do ta udhëhiqte bashkëpartiaku i saj Avdullah Hoti.

Për pasojë, u shkarkua nga të gjitha pozitat udhëheqëse në LDK shkruan AlbanianPost.

Në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani iu bashkua listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori vota më shumë se kushdo tjetër para saj në historinë e shkrutër të zgjedhjeve në Kosovë.

Nga ajo listë dhe me përkrahjen e LDK-së të cilën e braktisi mori drejtimin e shtetit të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera