Lajme

Rritja e numrit të ministrive, kështu parashihet ndarja e tyre sipas VV-së

Autori: Gazeta inFokus 18:43 | 14 January 2020

Më shumë se tre muaj kanë kaluar që nga zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të qeveriset nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

E gjithë kjo pasi partia fituese Lëvizja Vetëvendsoje dhe partia e dytë e dalë nga këto zgjedhje LDK nuk po arrijnë të lidhin koalicionin bashkëqeverisës.

-Advertisement-

Edhe pse zhvilluan takime të shumta nga përfaqësuesit e partisë, së fundi edhe në mes të dy liderëve mos-pajtimi qëndron pikërisht të ndarja e posteve.

Por siç duket Albin Kurti tashmë i ka dorëzuar edhe ofertën përfundimtare liderit të LDK-së, Isa Mustafa.

Kjo ofertë përmban disa ndryshime, ndër to edhe atë të numrit të ministrive që në fillim parashihej të jetë 12.

Në këtë ofertë parashihet që numri i ministrive të rritet në 14, pesë nga këto ministri t’i takojnë Vetëvendosjes, kurse gjashtë LDK-së.

Tri ministri t’i takojnë pakicave, duke paraparë që dakordimi të jetë që zv/kryeministri i parë t’i takojë LDK-së, ndërkaq zv/kryeministri i dytë LVV-së.

Propozimi i plotë dhe përfundimtar nga VV drejtuar LDK-së:

I nderuari Kryetar i LDK-së, z. Isa Mustafa,

Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:

1. E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.

2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.

3. Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës.

Me respekt,

Albin Kurti, Kryetar i LVV

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera