Lajme

Rritet numri i viktimave pas sulmit të armatosur në Jerusalemin Lindor

Autori: Gazeta inFokus 22:29 | 27 January 2023

Të paktën shtatë persona u vranë dhe dhjetë u plagosën kur një person i armatosur hapi zjarr pranë një sinagoge në Jerusalemin Lindor, në mbrëmjen e 27 janarit, tha policia izraelite dhe shërbimet e urgjencës, raporton Reuters.

Sulmi thuhet se ka rritur frikën për një spirale dhune, një ditë pas bastisjes më vdekjeprurëse të Izraelit në Bregun Perëndimor në vitet e fundit.

Policia izraelite e përshkroi sulmin në lagjen hebraike si një “incident terrorist”. U raportua se personi i armatosur kishte arritur rreth orës 20:15 dhe më pas hapi zjarr, duke qëlluar disa persona, përpara se ai të qëllohej për vdekje nga policia.

-Advertisement-

Mediat izraelite thonë se sulmuesi është një palestinez, banor i Jeruzalemit Lindor, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, thekson Reuters.

Të shtënat në lagjen hebraike të Neve Ya’akov pasuan një sulm vdekjeprurës nga ushtria izraelite një ditë më parë (26 janar) në Bregun Perëndimor. Bastisja në një kamp refugjatësh në Jenin u shndërrua në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjetë u vra në përleshje në një lokacion tjetër.

Deri më tash, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në sinagogë më 27 janar, por një zëdhënës i lëvizjes islamike Hamas tha se incidentet ishin të lidhura.

“Ky operacion është përgjigje ndaj krimit në Jenin dhe përgjigje e natyrshme ndaj veprimeve kriminale të okupimit”, tha zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem. Grupi më i vogël militant XhihaditIslamik e mirëpriti sulmin, por e nuk mori përgjegjësinë.

Në Gaza, lajmet për sulmin çuan në tubime spontane në rrugë, të cilat u pasuan nga të shtëna festive.

Incidentet ndodhën pak ditë para vizitës së planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Izrael dhe në Bregun Perëndimor.

Më 27 janar, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë, në të cilën dënon sulmin në Jerusalemin Lindor dhe thekson se nuk ka ndryshime në planet e udhëtimit të Blinkenit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Galant sinjalizoi më 27 janar se ushtria do të ndalonte sulmet ajrore nëse grupet militante palestineze ndalonin sulmet me me raketa, të cilat filluan pas sulmit izraelit në kampin në Jenin. Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëroi ushtrinë të përgatitet për sulme të reja në Rripin e Gazës “nëse do të jetë e nevojshme”.

Përshkallëzimi i konfliktit izraelit-palestinez, i cili zgjatë me dekada, paraqet sprovë për qeverinë e re të ekstremit të djathtë, të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila mori detyrën me premtimin për të mbajtur qëndrim të ashpër, mes tensioneve të rritura me palestinezët.

Bastisja nga forcat izraelite nxiti gjithashtu Autoritetin Palestinez t’i jepte fund koordinimit të sigurisë me Izraelin./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera