Lajme

Rritet numri i avokatëve të akredituar për Gjykatën Speciale

Autori: Gazeta inFokus 11:52 | 11 May 2018

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shtuar në lista emrat e mbrojtësve, krahas mbrojtësve që ishin pranuar më parë.

Regjistrimi në këto lista bën që këta avokatë të kenë mundësinë të zgjidhen për t’u paraqitur para DHSK-së për të përfaqësuar të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash, apo çdo person tjetër që ka të drejtën e përfaqësimit ligjor në bazë të Ligjit për krijimin e DHSK-së dhe të Direktivës për Mbrojtësit.

Listat e publikuara përmbajnë emrat e 87 profesionistëve të fushës së drejtësisë nga Kosova, Serbia, dhe një numër vendesh të tjera. Mbrojtësit mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden në faqen e internetit të DHSK-së.

-Advertisement-

Ky është raundi i dytë i njoftimeve, pas listave të shpallura më 14 mars 2017. Listat publike të mbrojtësve mund të shihen në tabelën që gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

Me këtë rast, kryetarja e DHSK-së, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, përgëzon të gjithë kandidatët dhe kandidatet dhe thekson mesazhin e saj se kriteret e rrepta për pranim në këto lista janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para DHSK-së, çka do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.

Që nga nëntori 2017 kur filloi ky proces, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranime në lista. Shqyrtimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve vazhdon. Si rrjedhojë, këto Lista të Mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë ndërkohë që vazhdon procesi i shqyrtimit të kandidaturave të tyre. Pra, procesi do të mbetet i hapur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera